Kur të dyshuarit për krime duan ta zgjedhin prokurorin

Është vërtet absurde lehtësia me të cilën VMRO-DPMNE-së i jepet gjithë ajo hapësirë për të negociuar mënyrën e zgjedhjes së prokurorit për krim të organizuar dhe korrupsion. Në esencë, kjo është pika ku tani kanë arritur negociatat për Ligjin e ri të prokurorisë publike, të cilat negociata gjatë javës së kaluar dështuan, pas takimeve të stërzgjatura të liderëve partiakë.

E para, është e qartë që gjithmonë kur sillet një ligj i ri që ka të bëjë me gjyqësinë, si që është për shembull, Ligji për gjykatat, Ligji për Prokurorinë Publike, apo Ligjet për Procedurë Penale ose Procedurë Civile, një konsensus i gjerë është i nevojshëm, duke pasur parasysh që këto ligje kalojnë me shumicë të kualifikuar prej 2/3 të votave në Kuvend dhe të njëjtat trajtohen si çështje nacionale, të rëndësishme për të gjithë qytetarët e shtetit. Gjithmonë kur sillen ligje të tilla normale është të ketë bisedime mes grupeve parlamentare që duhet t’i votojnë ato ligje. Problemi është se tek ne nuk diskutohet dhe nuk negociohet ligji si i tillë por negociohet për atë se a do të ketë drejtësi ose jo. E kjo gjë nuk është e negociueshme. Nuk mund të keni bisedime dhe të lëshoni pe, ose të bëni kompromise lidhur me atë se a do të ketë përgjegjësi penale ose jo. Në çdo shtet normal përgjegjësia penale rregullohet me ligj dhe zbatohet nga organet gjyqësore. Në momentin kur partive politike u lejohet të vendosin se a do të ketë drejtësi në një shtet, a do të bartet përgjegjësi penale ose jo, pikërisht në atë moment drejtësia ka fluturuar nga dritarja për të mos u kthyer kurrë më në atë ambient.

Si qëndrojnë momentalisht punët me Ligjin e ri për prokurori publike që është në diskutim dhe në procedurë parlamentare? Problemi kryesor lidhur me këtë ligj ishte zgjidhja e statusit të PSP. Qeveria kërkonte që PSP-ja të kalojë në kuadër të prokurorisë së rregullt në formën e një sektori të veçantë që do e ndiqte korrupsionin e lartë në shtet përkrah prokurorisë për krim të organizuar. Nga ana tjetër, vetë përfaqësuesit e PSP-së dolën me propozim që ata të ruajnë autonominë e tyre dhe të vazhdojnë të funksionojnë si organ i veçantë. E në anën krejtësisht tjetër partia kryesore opozitare nuk pajtohej assesi që PSP-ja të vazhdojë të funksionojë si institucion i veçantë. Kjo ishte pika e parë ku bisedimet u bllokuan dhe asnjë farë përparimi nuk kishte. Pas kësaj pike ndodhi rasti “Shantazhi”, prokurorja speciale përfundoi në paraburgim, dhe që aty dërgoi miratim që të gjitha lëndët e PSP-së të kalojnë në prokurorinë e rregullt. Në ndërkohë mbaroi edhe mandati i prokurorëve që punonin në PSP dhe të njëjtit u kthyen në prokuroritë ku kanë punuar më herët ku edhe filluan tu jepen për udhëheqje lëndët te të cilat ata kanë punuar deri më tani si pjesëtarë të PSP-së. Me këtë një pjesë e mirë e debatit lidhur me Ligjin e ri për prokurori publike u zgjodh vetvetiu, sepse pika kryesore e ndeshjes, PSP-ja dhe statusi i saj juridik, tani më nuk paraqet më problem formal. Tani problem janë lëndët që PSP-ja i ndiqte e që tani kanë kaluar në prokurorinë e rregullt. Dhe tani VMRO-DPMNE-ja thotë që duheshka ata ta propozojnë shefin e ri të Prokurorisë Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion (PPKOK) ku do të ndiqen pjesa më e madhe e rasteve të PSP-së.

Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është se mandati i shefes momentale të PPKOK, Vilma Ruskovska, duhet të përfundojë menjëherë, dhe në vend të saj të zgjidhet shef i ri i kësaj prokurorie edhe atë sipas propozimit të tyre. Ata shkojnë deri aty sa propozojnë metodologji si duhet bërë kjo: VMRO-DPMNE-ja duheshka të propozojë një emër prokurori të cilin duhet ta zgjedhë Këshilli i Prokurorëve Publikë. Nëse këshilli nuk e zgjedh, atëherë ata duheshka të propozojnë emër tjetër. Po qe se ndodh që sërish Këshilli nuk e zgjedh, atëherë ata sërish do të propozojnë emër, por kësaj radhe edhe në bashkëpunim me partitë qeveritare. Nëse sërish propozimi nuk kalon, atëherë VMRO-DPMNE-ja e ruan të drejtën të propozojë tri persona nga të cilët Këshilli i Prokurorëve duhet të zgjedhë shefin e ri të PPKOK. Duhet domosdoshmërish t’i urojmë për këtë zgjedhje kaq kreative e cila është mënyra më e mirë dhe e pakontestueshme se si ta bëni prokurorinë më të rëndësishme në shtet tërësisht jofunksionale për dekada të tëra.

Të shohim realitetin dhe jo ëndrrat syhapur që VMRO-DPMNE i sheh zgjuar. Ka ligj në këtë vend që tregon se si zgjidhen prokurorët publikë dhe shefat e prokurorive. Sipas atij ligji Këshilli i Prokurorëve i zgjedh shefat e prokurorive publike dhe jo partitë politike. Pikërisht ai Këshill e ka zgjedhur prokuroren Ruskovska të drejtojë me PPKOK dhe ajo ka mandat të caktuar për ta bërë këtë. Në cilin film ka parë VMRO-DPMNE që partitë politike të ndërhyjnë në proceset ligjore të zgjedhjes së prokurorëve të rregullt kur ka ligj se si bëhet një gjë e tillë? Ata thonë se qytetarët s’paskan besim tek Këshilli i Prokurorëve. E ku paskan besim qytetarët? Tek prokurori që do e zgjedhë VMRO-DPMNE, LSDM, apo BDI? Ky është kulm i absurditetit dhe nuk e di si i lejohet hapësirë një partie politike seriozisht të diskutojë opsione të tilla tërësisht kundërligjore dhe kundërkushtetuese.

Gjëja e dytë shumë e rëndësishme që duhet pasur parasysh në këtë rast është kjo: VMRO-DPMNE është parti politike e cila nuk ka pastruar me të kaluarën e saj kriminale. Të gjithë përfaqësuesit e kësaj partie politike, pa përjashtim, të gjitha rastet e ngritura nga PSP por edhe nga PPKOK (rasti i 27 prillit) i quajtën persekutim politik, bile i krahasuan me rastet e Nyrembergut. Asnjë përfaqësues i kësaj partie politike nuk është distancuar haptazi nga asnjë i involvuar në rastet e hapura nga cilado prokurori, qoftë nga PSP qoftë nga PPKOK. Për më tepër, kjo parti e mban akoma për kryetar nderi personin e dënuar me dënim efektiv me burgim i cili është në arrati. Pra edhe një herë, kjo parti, që kërkon të zgjedhë tani prokurorin publik që duhet të ndjekë kriminalitetin, ka për kryetar nderi një të arratisur nga burgu! Dhe përfundimisht, pjesëtarë të kësaj partie në grupin negociues për Ligjin e prokurorisë publike janë persona si Antonio Milloshovski të cilët janë të dyshuar në procedura parahetimore dhe hetimore të ngritura nga PSP, pra kanë statusin e personit të dyshuar në një procedurë penale.

Në çdo procedurë penale ka të dyshuar ose të akuzuar por në asnjë procedurë penale këta nuk e zgjedhin e as që mund ta propozojnë prokurorin që do i hetojë krimet e tyre dhe do të ngritë aktakuza për ata. I dyshuari nuk e zgjedh prokurorin. I dyshuari mund ta zgjedhë vetëm avokatin që do ta përfaqësojë atë në procedurë penale. Prandaj është absurde se si këtyre njerëzve u lejohet të marrin pjesë në bisedime kur dihet statusi i tyre në procedurat penale që janë në vazhdim. I dyshuari mund të negociojë vetëm për pranimin e fajit të tij, nuk mund të negociojë për Ligjin e ri të prokurorisë publike!

Deri sa kjo është situata dhe këta janë negociatorët e Ligjit për prokurori publike, është e qartë që zgjidhje nuk do të ketë. Zgjidhja është aty për ata që duan ta shohin. Lërini prokurorët dhe gjyqtarët ta bëjnë punën e vetë. Mos i anuloni dhe mos i vjetroni rastet gjyqësore. Le të vendoset një herë e mirë përgjegjësia penale për të gjithë të involvuarit në të gjitha rastet pa marrë parasysh cilës parti ose etni i përkasin. Le të shkojnë në burg ata për të cilët ka dëshmi se kanë kryer krime. Pastaj negocioni me kë të doni dhe sa të doni për ligje, për rregullore e për statute.

Sepse për drejtësi nuk negociohet. Drejtësi ose ka ose s’ka.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button