fbpx

Inspektorët janë duke kontrolluar se sa janë të pastra tualetet në shkolla

Inspektorët sanitarë këtë dhe muajin tjetër do të kontrollojnë gjendjen e tualeteve të shkollave në të gjithë vendin. Ata kryejnë dy kontrolle në vit, dhe pas atij në maj dhe qershor, tani do të kontrollojnë nëse drejtorët i korrigjojnë mangësitë të cilat janë gjetur atëherë, njofton META, transmeton Portalb.mk.

Herën e fundit, inspektorët kanë zbuluar se dezinfektimi parandalues ​​në shkolla nuk bëhet, se në shumë prej tyre inventari është i amortizuar dhe se dyshemetë dhe muret janë të dëmtuara. Për shkak të kushteve të këqija sanitare-higjienike, ata kanë ndaluar përdorimin e një palestre për sport, një palestre për fizkulturë dhe tualete në dy shkolla.

– Tani bëhet kontrollimi në bazë të vendimeve të lëshuara. Kjo nuk do të përfundojë shpejt, pasi inspektorët duhet të shkojnë në shumë shkolla. Në disa raste duhet të kryhen punë të mëdha ndërtimore, e për atë nevojitet kohë, kështu që kemi mirëkuptim. Të gjitha shkollat kanë shumë tualete, por të gjitha janë të lidhura në një tubacion për dredhje. Nëse shkolla ka dy kate zakonisht ka nga dy tualete në secilin kat. Prandaj edhe s’ka asgjë kontestuese nëse e mbyllim një që ka qenë në gjendje të keqe – thotë Irina Buhova, drejtore e Inspektoratit shëndetësor dhe sanitar.

Ajo shton që nëse nuk veprohet sipas vendimeve të lëshuara, ligji parashikon dënime, por në praktikë, thotë ajo, inspektorët nuk i ndëshkojnë sepse drejtuesit e shkollave në përgjithësi e bëjnë atë që u thuhet për të bërë.

– Kontrollet tregojnë se në shkolla ka mjete për dezinfektim. Bëjmë procesverbale dhe pothuajse të gjithë i kanë këto mjete edhe atë kanë mjete të mira për dezinfektim – shton drejtoresha.

Në maj dhe qershor, inspektorët kryen inspektime në 308 shkolla (fillore dhe të mesme), si dhe në 114 kopshte. Janë lëshuar 156 vendime për të mënjanuar mangësitë e identifikuara, nga të cilat 136 janë në shkolla dhe 20 në kopshte.

“Një mangësi që është konstatuar gjatë kontrolleve është se nuk realizohen kontrollet e rregullta shëndetësore-higjenike të mësuesve të punësuar dhe stafit ndihmës, siç kërkohet nga Ligji për mbrojtjen e popullatës nga sëmundjet infektive. Për sa i përket higjenës, objektet aktualisht janë mirëmbajtur, dhe në tualete ka sapun të lëngshëm ”, informojnë nga Inspektorati për “Meta.mk”.

Nuk është i vogël numri i shkollave në vend ku prindërit paguajnë nga xhepi i tyre për të siguruar higjenë personale për fëmijët e tyre. Siç ka publikuar para pak kohësh “Meta”, mblidhen rreth 500 denarë për fëmijë për të blerë letër higjienike, doreza, sapun, fshin lagësht, xhel antibakterial për një gjysmë vjetor. Drejtorët pranojnë që prindërit blejnë vetë, megjithëse kjo zyrtarisht nuk kërkohet.

– Prindërit blejnë produkte të higjenës personale për fëmijët e tyre kur shkojnë në tualet. Por ne kemi një problem me pecetat e lagësht, të cilat shpesh i bllokojnë kanalizimet sepse fëmijët i hedhin në tualete. Letra për tualet gjithashtu i furnizojnë vetë prindërit ndërsa sapun të lëngshëm siguron shkolla. Mjetet për ruajtjen e higjenës së ambienteve shkollore i siguron komuna – thotë Bistrica Stankovska, drejtoreshë e shkollës “Goce Delçev” në Lisiçe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button