DHUNA

Dhunë ndaj personelit mjekësor. Vetëm katër fjalë. Megjithatë kjo është një dramë. Çdo njeri mund ta krijojë në imagjinatën e tij pamjen e tmerrshme kur njerëzit e sulmojnë fizikisht një mjek, kur e keqtrajtojnë dhe kur e mundojnë edhe psikikisht duke e sharë në mënyrat më të vrazhda e më primitive. Natyrisht qytetarët, e pse të mos themi njerëzit normalë të këtij vendi, janë lebetitur. Si mund të ushtrohet dhunë ndaj mjekëve, ndaj atyre që kujdesen për shëndetin e popullit. Prandaj edhe ministri i shëndetësisë proteston kundër akteve të këtilla të dhunës. Madje tash po zhvillohet një aksion i cili ka për qëllim parandalimin e dhunës ndaj mjekëve.

Aksioni, s’ka fjalë, do të ketë efektet e veta, por problemi do të mbetet. Atëherë çfarë duhet të bëhet? Duhet të bëhet një studim më i thellë pse ndodhin këto gjera, të kërkohen arsyet dhe shkaqet, të studiohen rrethanat në të cilat ndodhin këto punë të këqija ose më mirë të themi kjo dhunë. Dhe, kjo analizë, këto kërkime do të bënin një material mjaft të vëllimshëm. Një libër të trashë.  I cili, pastaj do të shërbente për rregullimin e ligjeve që lidhen me sigurinë e punëtorëve shëndetësorë. Janë ligjet e mira dhe aplikimi i drejtë i tyre që do t’i mbrojnë mjekët dhe personelin tjetër arsimor nga dhuna.

Dhuna nëpër spitale? E tmerrshme! Mirëpo dhuna nuk sillet vetëm nëpër korridoret e spitaleve, para dyerve të ambulancave dhe nëpër klinika. Dhuna fizike sot i ka shtrirë krahët e saj të zez edhe në familje, në kopshte të fëmijëve, në shkolla, në vendet e ndryshme publike, si rrugë qendra tregtare. Ajo “shoqërohet” me forma të ndryshme të krimit, si: vjedhje, grabitje, sulme fizike në rrugë etj.

Nëpër qendra të mëdha tregtare vazhdimisht personeli u tërheq vërejtjen myshterinjve që të kujdesen e t’i ruajnë kuletat e tyre, gjërat e tyre me vlerë, nëpër garazha gjithkund shkruan se pronari (që mbledh para për parkimet) nuk merr përgjgjësi mbi vete në rast të vjedhjes së gjerave që i ka qytetari në veturë e madje as kur ndodh ta vjedhin tërë veturën. Kështu shkruajnë ndonëse paguajnë njerëz për sigurimin e parkingjeve. Në parkingjet e hapura njerëzit e sigurimit menjëherë ta gjejnë veturën nëse nuk e ke bërë pagesën me telefon dhe menjëherë vjen “merimanga” e ta merr. Në parkingjet e mbyllura, po ta vodhën i bie “e hëngër ujku gomarin” dhe në këso rastesh “bariu” nuk ka përgjegjësi.

Po të shkosh në polici, nga ana tjetër, të paraqesësh, ndonjë dhunë, atje do të dëgjosh që policët të raportojnë me zë: vjedhje e rëndë, grabitje në rrugë, vjedhje e kuletës në vetëshërbim, vjedhje e telefonit në spital, vjedhje e çantave të grave turiste dhe përfundimisht edhe: u shpuna me thika, u plagosën me armë zjarri e të tjera.

Situata e tillë mund të cilësohet si një rrëmujë në fushën e sigurimit të shëndetit, të personalitetit të njeriut. Nga kjo vjen pasiguria e cila ndikon aq shumë në migracionet, përkatësisht në largimin masiv të rinisë, duke i hapur dyert e pashpresës.

Sot nuk je i sigurt të dalësh në qendër të qytetit se mund të ndodh që ndonjë njeri me probleme mendore të ta kërcasë ndonjë shuplakë, të të lëndojë ose të të fyejë si është më keq dhe për këtë mos të mundesh të kërkosh askund mbrojtje institucionale, sepse flitet që spitali i Bardovcës i lëshon pa shoqërim të sëmurit psikikë me arsyetimin se nuk kanë vend për ta. Askurrkush nuk e ka shtruar këtë problem. Madje as problemin e humbjes së njerëzve pa nam e nishan etj.

Me një fjalë rrënjët e dhunës janë shumë të thella. I mbetet pushtetit t’i japë përparësi kësaj çështjeje. Sepse është një komplet dramash e ndër to ka jo pak edhe tragjedi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button