Osmani: Do të hapim kapitullin e parë me BE-në gjatë presidencës kroate

Vendimi për të filluar negociatat në tetor përkon me fillimin e presidencës së Kroacisë në BE në janar të vitit të ardhshëm, kur ne presim të hapim kapitullin e parë të BE si pjesë e negociatave, tha sot në Bruksel Zëvendës Kryeministri për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani, i cili e filloi vizitën e tij të punës atje me një takim me përfaqësuesin e Republikës së Kroacisë në BE, Andreja Metelko-Zgombiq, njofton Portalb.mk.

Ai përcolli mirënjohje për Zgombiq për mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i jep Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Si pjesë e rajonit, si dhe pjesë e historisë së përbashkët, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia ushqejnë marrëdhënie miqësore të vazhdueshme, në interes jo vetëm të dy vendeve, por të gjithë Ballkanit, dhe në drejtim të promovimit të idesë evropiane në rajon”, tha Osmani.

Osmani është planifikuar të takohet në Bruksel me Përfaqësuesen e lartë të BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme, Federika Mogerini dhe Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian, për të riafirmuar gatishmërinë e vendit për të filluar negociatat.

Agjenda e Osmanit gjithashtu përfshin një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Genoveva Ruiz Calavera.

Vizita e punës në Bruksel është pjesë e turneut të Osmanit në kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së, e ndjekur nga vizitat në Berlin dhe Varshavë më vonë këtë javë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button