Do të përmirësohet siguria e 11 rrugëve në të gjithë vendin

Kompania “Granit” nga Shkupi është zgjedhur si kontraktues për projektin për të përmirësuar sigurinë e 11 rrugëve në të gjithë vendin. Për të zvogëluar numrin e aksidenteve në trafik në pikat e zeza, brenda 90 ditëve të ardhshme do të vendosen shenja të reja trafiku, bankina dhe pajisje të tjera për të rritur sigurinë, shënjimin e rrugëve dhe rregullimin e mureve dhe mbrojtjen e shpateve të paqëndrueshme në këto rrugë, transmeton Meta.mk.

Me këtë projekt do të përmirësohet siguria në trafik, në pikat e zeza, që janë përcaktuar në rrugën shtetërore Manastir – Resnje – Ohër, seksionet Manastir – Makazi dhe Resnje – Bukovë, si dhe rrugët rajonale Novo Sellë – Mavrovi Anovi, Bërvenicë – Çegran, Nov Dojran – Nikoliq, Mokrino – Smollari, Krivogashtan – Obrshani – Vogjani, Llazhani – Ropotov – Cërnilishtë, Ura e Melnikut – Qendra Zhupë, Dellçevë – Gollak dhe Ura e Boshkut – Dibër.

Për realizimin e këtij projekti janë ndarë rreth 1.5 milionë euro përmes një kredie të ngritur nga Banka Botërore për këtë qëllim, thuhet në kontratë e publikuar në ueb-faqen e Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara në vitin 2010, në rrugët e Maqedonisë janë regjistruar gjithsej 169 pika të zeza. Me marrëveshjen e fundit, numri i rrugëve që do të përmirësojnë sigurinë në trafik këtë vit u rrit në 19 pasi këtë pranverë filloi rehabilitimi i 8 pikave të zeza në rrugët e Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button