Albin Kurti në Shkup: Shqiptarët e RMV-së e kanë paguar çmimin më të lartë për çlirim, jo unë që isha në burg (VIDEO)

Albin Kurti, ish-deputeti dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje! i shoqëruar me ish-kandidatin për President në Maqedoninë e Veriut, Blerim Rekën, dhe me kandidaten për deputete në Kuvendin e Kosovës, Vlera Gjakova, mbajtën sot takim me qytetarët në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Takim u mbajt nga ora 16:30 në lagjen Karposh, në objektin e Kinotekës që gjendet përball shkollës së mesme “Nikolla Karev” (objekti ku ka qenë më parë gjimnazi “Zef Lush Marku”). Ky objekt ishte i vogël për të përmbledhur gjithë të interesuarit e kësaj ngjarje.

Kurti sot nga Kosova ishte i shoqëruar edhe me ish-deputetin dhe kandidatin për deputet Rexhep Selimin, kandidatët Haki Abazi, Sali Zyba dhe Avni Tafilin.

“Ardhja jonë këtu është nder për neve, jo për ju. Sepse ne e konsiderojmë obligim. Të vijmë nga Prishtina e nga Tirana në Shkup është obligim, sepse shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë kontribuar për çlirimin e pavarësim edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë, dhe kanë ngelur jashtë të dyjave. Ju e keni paguar çmimin më të lartë, jo unë që isha në burg. Çmimin më të lartë e keni paguar ju”, deklaroi ndër të tjera Kurti në takim.

Tubimet e Kurtit janë në vazhdën e takimeve të shumta që po i zhvillon në qytetet shqiptare dhe në diasporë, pak para fillimit të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë që do të mbahen më 6 tetor. Në këto zgjedhje, tashmë edhe zyrtarisht Kurti do të jetë kandidati për kryeministër nga radhët e partisë së tij.

Ditë më parë, në serinë e anëtarësimeve në VV, u bashkangjitën edhe dy prurjet e reja nga Maqedonia, Namik Durmishin, doktor i teknologjisë ushqimore dhe Ismail Ferati, doktor i bujqësisë.

Përkujtojmë se në listën prej 110 kandidatëve të Vetëvendosjes për zgjedhjet e 6 tetorit, do të garon edhe kandidatja nga Shkupi, Vlera Gjakova.

Tashmë publikisht përkrahje Kurti ka marrë nga ish-kandidati për president në Maqedoninë e Veriut, Blerim Reka.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button