Diplomuan 416 kadetë të rinj të Policisë së Kosovës

Me një ceremoni solemne në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë të organizuar nga Policia e Kosovës (PK), janë betuar 416 kadetë të rinj policorë, të cilët janë gjenerata e 54-të e të diplomuarve, raporton Anadolu Agency.

Nga ky numër i të diplomuarve, 30 për qind janë gra, ndërsa udhëheqësit e institucioneve të sigurisë thanë se pritet që kjo gjeneratë të bëhet pjesë e rëndësishme në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Rashit Qala, tha se policia sot është një organizatë e strukturuar mirë me të gjitha kapacitetet organizative, pajisje teknologjike dhe kapacitete njerëzore profesionale. Ai tha se 30 për qind e kadeteve femra, kanë arritur me meritë deri në diplomim.

“Do të jetë një punë mjaft e vështirë. Një punë mjaft sfiduese, mirëpo një punë shumë e çmuar nga qytetarët e Kosovës meqenëse ju do të shërbeni. Do t’i mbroni qytetarët dhe pronën. Dhe, shumë shpesh do të shpëtoni jetë. Ky është edhe misioni ynë, që ne të shërbejmë, të shërbejmë dhe vetëm të shërbejmë. T’i shërbejmë popullit të Kosovës. T’i trajtojmë të gjithë të barabartë dhe t’i konsiderojmë secilin individ në këtë vend, anëtar të familjes së madhe të Kosovës”, tha Qalaj.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, tha se kadetët duhet ta mbrojnë këtë besueshmëri (diplomimin) vetëm me respektimin e ligjit.

Ai u tha kadetëve të rinj se ata tani bartin “uniformën e institucionit që ka besueshmërinë më të lartë te qytetarët e Kosovës”.

“Kështu po kontribuohet edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Kjo vetvetiu flet se çfarë prestigji është të vësh programin që sjell deri te ky diplomim. Programi që u ofrua është i bazuar në përvojat më të mira ndërkombëtare dhe demokratike”, tha Mustafa.

Drejtor i Akademisë së Policisë për Siguri Publike, Smajl Smakiqi, tha se kadetët gjatë javëve në akademi kanë fituar shumë shkathtësi dhe janë të gatshëm që në të ardhmen të ushtrojnë profesionin e tyre. Siç tha ai, viti 2019 ka qenë viti me më së shumti kadetë deri më sot.

Ky grup i kadetëve janë trajnuar për 34 javë në mënyrë që të fitojnë shkathtësitë për ta ushtruar profesionin. Ndërsa në ngjarje u paralajmërua se së shpejti do të fillojë trajnimi i gjeneratës së 55-të të Policisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button