Libër mbi jetën personale të Skënderbeut

Me veprën Gjergj Kastrioti Skënderbeu – kryqtari i fundit, autori erudit Virgjil Kule, përpos si gazetar, publicist, filozof e përkthyes veprash të rëndësishme letrare, ka siguruar jetëgjatësinë e emrit edhe si historian.

Siç dihet, për Heroin tonë kombëtar janë shkruar qindra libra, kurse janë të shumtë njohësit e historisë që Atë e radhisin ndër gjeneralët më të famshëm të të gjitha kohërave, bashkë me Lekën e Madh, Napoleon Bonapartin, Xhingis Khanin, Jul Çezarin, Atillën e hunëve, Janosh Huniadin dhe Xhorxh Patonin.

Besoj s’do t’ma merrni për mungesë modestie, nëse them se kam lexuar shumë vepra që hedhin dritë mbi bëmat e papërsëritshme të Skënderbeut, por, nëse do të më kërkohej të bëj rangimin e tyre për nga vlerat dhe të rejat mbi jetën personale të Tij, pa asnjë dyshim, veprën e Virgjil Kules, në të cilën nuk ekziston asnjë fjalë urrejtjeje ndaj osmanëve/turqëve… (këtë e thotë vetë autori), do ta kisha vënë ndër 2-3 librat më interesantë të shkruar për Të.

Në këtë vepër, më shumë se gjeneral i famshëm i kohës së tij, Skënderbeu është lider pragmatik, burrështetas i zgjuar, njohës i shkëlqyeshëm i politikës globale të kohës dhe i strategjive të pushtuesve që synonin dominimin mbi tokat tona, strateg i dalluar që ia doli për një çerek shekulli ta mbrojë Atdheun nga ushtria e sulltanëve osmanë, duke e ngritur kësisoj autoritetin e tij nëpërmjet veprash e betejash konkrete diplomatike e ushtarake.

Në vijim po sjell vetëm disa nga tiparet e mëvetësishme identitare të veprës së shkruar për lexues të logjikshëm dhe racionalë.

Si e para, vepra është shkruar nga dora e sigurt dhe e kultivuar e një mjeshtri të shkrimit shqip. Krahas informacioneve të shumta, autori sqaron bindshëm të dhënat e veprave pararendëse dhe dokumentet që hedhin dritë mbi bëmat e Skënderbeut, që nga Marin Barleti e këndej. Vepra të shtyn të ridimensionosh disa gjëra mbi Skënderbeun, miqtë dhe armiqtë e tij, sepse autori nuk bën kompromise me faktet/ dokumentet e konsultuara historike. Ajo vin me një kronologji precize, duke shpërfaqur një për një ngjarjet me peshë të epopesë skënderbejane, që nga marrja e Tij haraç e gjer në vdekje. Kjo mënyrë e shkrimit, siç thotë autori: “nuk lejon asnjë defekt në cilësinë e ‘lendës së parë’, dokumentit, as gjymtime, as shmangie të tij të plotë a pjesore, as rradhitje arbitrare në kohë dhe as interpretime jashtë kontekstit të rrethanave kur është prodhuar…”.

Ndër motivet që e shtynë Skënderbeun të kthehet në Atdhe autori nuk e përjashton atë të famës personale. Virgjil Kule, ndryshe prej historianëve të tjerë që kanë shkruar për Heroin shqiptar të përmasave botërore, sjell argumente, sipas të cilave Ai nuk i rezistoi dot tundimit për të rimarrë zotërimet e të jatit në Arbëri dhe për të inkuadruar principatën kastriotase në bashkësinë e shteteve të tjera evropiane, në një kohë kur asnjë fuqi e madhe nuk i kishte prioritet aspiratat e shqiptarëve për të qenë të lirë në tokat e tyre.

Pa hiperbolizuar të vërtetat, në vepër jepen detaje interesante të betejave që Skënderbeu i bëri përgjatë një çerekshekulli: mënyrat e ngritjes së formacioneve të mirëorganizuara ushtarake, mjeshtëritë me të cilat i gjeti udhët e kompaktësimit të principatave shqiptare, prijësit e principatave ndaj të cilëve osmanët, venedikasit dhe të tjerët praktikonin propaganda shumë joshëse, duke qenë se Heroi ynë ua ndërpriste udhët e pushtimit të Arbërisë dhe udhët e tregëtisë pa u dhënë llogari vendorëve…

Gjithnjë sipas autorit Virgjil Kule, rasti i vetëm dhe i fundit i Skënderbeut për vazhdimin e ekzistencës arbërore sipas normave të qytetërimit evropian ishte formula e përshpejtimit të partneritetit të brendshëm. Vetëm kjo formulë i krijonte qasje të shpejtë në potencialin ushtarak të Arbërisë, duke e nxjerrë në krye të fisnikëve shqiptarë dhe duke e bërë: të parin mes të barabartëve…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button