Vëllezërit Tavitjan dhe Rhani Krija, luksi që vjen një herë në prag të derës (VIDEO)

Rrugëtimin drejt suksesit të këtij edicioni, “Jazzfest Tetova” e vazhdoi edhe natën e dytë, me performancën e grupit të vëllezërve Tavitjan (Tavitjan Brothers) dhe Rhani Krijës, transmeton Portalb.mk.

Nën sallën e mbushur, publiku arriti të receptojë lartë muzikën e gërshetuar të folklorit maqedonas dhe ballkanik, e shprehur nëpërmjet elementeve të xhazit nga vëllezërit Tavitjan. Këtij gërshetimi, tonin e vërtetë ia dha Rhani Krija, me interpretimin e veçantë të ndërthurë me elemente nga muzika e Afrikës së Veriut, Amerikës Latine dhe Arabisë.

Vëllezërit Tavitjan dhe Rhani Krija në "Jazzfest Tetova 2019"
Vëllezërit Tavitjan dhe Rhani Krija në “Jazzfest Tetova 2019”. Foto: Gligor Kondovski
Vëllezërit Tavitjan dhe Rhani Krija në "Jazzfest Tetova 2019"
Vëllezërit Tavitjan dhe Rhani Krija në “Jazzfest Tetova 2019”. Foto: Gligor Kondovski

Andaj, nuk mungoi edhe vlerësimi i sopranos, Besarta Murtezani.

“Pasi të dëgjosh një koncert si ky, çdo fjalë që do të them, do të jetë shumë e vogël. Jazzfesti na dha një luks pa pagesë, i cili luks të vjen ndoshta një herë në jetë në prag të derës”, tha Murtezani.

Nga “Jazzfest Tetova” janë shprehur falënderues ndaj vëllezërve Tavitjan dhe Rhani Krijës, për siç e vlerësuan ata, natën e perfeksionit në nivel të lartë.

“Çfarë të themi, edhe një natë tjetër e perfeksionit në nivel të lartë. Kënaqësi e madhe. Krenar me vendin tonë – Tavitjan Brothers  dhe një falënderim i jashtëzakonshëm për mikun tonë, i cili gjithmonë gjen kohë për ne, Rhani Krijën. Një falënderim i madh edhe për Aleksandër Ikonomov”, thanë nga “Jazzfest Tetova”.

 

Megjithëse nga Maqedonia e Veriut, vëllezërit Tavitjan janë artistë të nivelit të lartë ndërkombëtar. Gjatë 25 viteve të fundit, ata kanë realizuar mbi 400 shfaqje koncertale në Ballkan, Evropë, Angli dhe Amerikë. Kritikët e njohur botërorë nga revistat “Jazz Times”, “All about jazz”, “Concerto”, “Guardian”,… e kanë vlerësuan tej mase muzikën dhe performancën e tyre.

Ndryshe nga ata, Rhani Krija është i lindur në Marok. Ka interpretuar me një numër të madh artistësh ndërkombëtarë, si dhe me disa nga yjet më të mëdhenj të muzikës në botë. Periudha më e rëndësishme në karrierën e tij, është angazhimi në grupin Sting, Peter Gabriel, Prince, Annie Lenox, Herbie Hancock, Chick Corea dhe Al Di Meola.

Përndryshe, festivali “Jazzfest Tetova” sot do ta vazhdojë natën e tretë të tij. Siparin e tij e ngriti grupi “Taksim Trio”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button