Të lirohen të gjithë kriminelët…

Zhvillimet e javës së fundit sërish krijojnë atë ndiesinë se jemi bllokuar dhe nuk dimë si të ecim para. Takime liderësh deri në orët e mëngjesit pa asnjë rezultat dhe përpjekje të dështuara për të gjetur zgjidhje për probleme të cilat edhe atë si kanë zgjidhje edhe atë zgjidhje shumë logjike, na kthejnë pas në kohët para marrëveshjeve të Përzhinës kur brenda një shteti të kapur liderët partiakë diskutonin fatin e institucioneve gjyqësore. Dhe ja tani, 4 vite më pas, sërish liderët partiakë diskutojnë gjer në mëngjes fatin e institucioneve të cilat mezi i krijuan atëherë, e sigurisht, do të kishin dashur të mos i kishin krijuar fare.

Nuk është aspak e vërtetë se nuk ka zgjidhje të pranushme juridike të këtyre problemeve të krijuara. Cilat ishin problemet kyçe në këtë drejtim te të cilat vazhdimisht thirrej VMRO e Mickovskit? Mandati i prokurorisë speciale për të ngritur aktakuza paska skaduar dhe ajo nuk paska më kompetencë të ndjekë rastet. Mirë, në rregull, kishte disa propozime lidhur me vazhdimin e mandatit të prokurorisë si të tillë ose kalimin e saj në kuadër të prokurorisë së rregullt, integrimin e saj në sistemin zyrtar të prokurorive si një prokurori e specializuar që do të gjykonte vetëm rastet e përgjimit. VMRO nuk u pajtua me këtë koncept dhe i zgjati e i stërzgjati ato diksutime me muaj, duke e ditur shumë mirë që kalimi në kuvend i Ligjit për Prokurorinë Publike ku duhet të zgjidhej edhe statusi i PSP, e i cili ligj kalon me 2/3 e votave, është kërkesë direkte e UEsë që të mundemi të fitojmë datë për hapjen e negociatave për aderim. Asesi nuk u pajtua VMRO me asnjërin nga propozimet e dhëna nga qeveria e të cilat propozime janë diskutuar gjerë e gjatë në seancat e Këshillit për ndjekjen e reformave në gjyqësi.

Në ndërkohë u paraqit problemi tjetër. Involvimi i supozuar i prokurores speciale në aferën “Shantazhi” që i dha krahë shtesë VMROsë dhe Mickovskit të pretendojë se kompetencat e PSP për të vazhduar me rastet tani më janë ineksistente, duke qenë se kreu i saj ndodhet në paraburgim. Në rregull, kjo po që është argument i mjaftueshëm për të vënë në pyetje kompetencën e PSP për të vazhduar me ndjekjen e rasteve. Zgjidhja e ofruar ishte që të gjitha lëndët e PSP të kalojnë në Prokurorinë e rregullt, sipas kërkesës së ngritur nga vetë Prokurorja Speciale, gjë që është tërësisht në kompetencën e saj sipas Ligjit me të cilin u themelua PSP. As kjo zgjidhje nuk e kenaqi VMROnë dhe ja ku vazhduan bisedat pa fund ku Mickovski assesi të dakordohet që rastet e ngritura por edhe rastet tjera që lidhen me “bombat” të ndiqen dhe të procesohen deri në fund.

Kjo këmbëngulje kaq e madhe ka vetëm një sqarim. Thesht VMROsë dhe Mickovskit, e ndoshta edhe shumë të tjerëve, nuk u konvenon që të vazhdojnë të hetohen dhe procesohen më tej rastet që lidhen me përgjimet në këtë shtet. Kjo është e tëra. Esenca e gjithë problemit është kërkesa për amnesti të përgjithshme, për mosbartje të përgjegjësisë penale, për heqje të dënimeve të dhëna dhe për krijim të mundësive që vjedhjet dhe të gjitha sjelljet tjera arbitrare të cilitdo pushtet, të vazhdojnë më tej, deri në pafundësi. Duke u nisur nga ky qëllim kërkohet të shfrytëzohen dhe keqpërdoren labirintet juridike. Jo janë vonuar shumë lëndët, jo të njetjat do të vjetërohen, jo vetëm PSP paska kompetencë të përdorë “bombat” si dëshmi e prokuroritë tjera nuk i përdorkan dot ato, e çmenduri të tjera të kësaj natyre. Esenca e gjith kësaj është se VMRO-DPMNE nuk dëshiron të distancohet nga ata që në emër të kësaj partie dhe me ndihmën e saj u pasuruan duke bërë krime dhe u sollën si kapadahi për më shumë se një dekadë. Gjatë gjithë kësaj rruge Mickovski dhe kjo parti po arrijnë të realizojnë dy qëllime: i shpërojnë të vetët nga balta dhe nga rreziku i përgjegjësisë penale dhe e pamundësojnë qeverinë që ti përmbushë kushtet për të marë datën e shumëdëshiruar të hapjes së negociatave me UEnë. Një rrugë e dy punë. Është vërtet një rast i humbur për këtë parti dhe liderin e saj që të bëjë ndarjen vendimtare nga e kaluara dhe të ecë përpara duke mundësuar dhe duke kontribuar në mënyrë direkte që drejtësia të funksionojë. Por raste të tilla shfrytëzohen nga ata që kanë sens për sjellje shtetarësh e jo nga ata që shohin vetëm mbrojtjen e interesave meskine individuale dhe partiake.

Zgjidhja që kërkohet me ngulm quhet “Liri për të gjithë kriminelët”. Të lirohen që të gjithë, të vëllazërohen dhe të vazhdojnë të jetojnë të lumtur duke vjedhur të gjithë qytetarët, deri sa të mos mbetet më asnjë qytetar e as xhepa ngatë cilët të mund të vjedhin.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button