Bota arabe reagon ndaj planeve të Netanyahut për Bregun Perëndimor

Vendet arabe kanë dënuar një plan të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të aneksuar një pjesë të okupuar të Bregut Perëndimor, njofton REL.

Të martën Netanyahu u zotua të zbatojë sovranitetin e Izraelit mbi Luginën e Jordanit dhe Detin e Vdekur verior nëse ai merr edhe një mandat si kryeministër pas zgjedhjeve të përgjithshme që mbahen javën e ardhshme në Izrael.

Zyrtarët në Jordani, Turqi dhe Arabi Saudite kritikuan ashpër deklaratën.

Kryenegociatori palestinez tha se ky veprim do të ishte “qartazi i paligjshëm”.

Aneksimi i propozuar nga Netanyahu do të ishte një “krim lufte” që do të “varroste çdo shans për paqe”, tha Saeb Erekat.

Ndërkohë, Liga Arabe tha se ky është një “zhvillim i rrezikshëm” dhe e cilësoi atë si “agresion”.

Izraeli ka pushtuar Bregun Perëndimor që nga viti 1967, por nuk e ka bërë aneksimin.

Palestinezët e pretendojnë gjithë Bregun Perëndimor, si pjesë e një shteti të ardhshëm të pavarur.

Netanyahu ka këmbëngulur më parë që Izraeli gjithmonë do të mbante një prani në këtë rajon për qëllime të sigurisë.

Çfarë tha Netanyahu?

Benjamin Netanyahu, i cili udhëheq partinë e krahut të djathtë Likud, po bën fushatë përpara zgjedhjeve të përgjithshme që mbahen të martën e ardhshme.

Sondazhet sugjerojnë se Likud është në nivele të përafërta me partinë opozitare Kaltër dhe Bardhë, dhe mund të ketë vështirësi për të formuar një koalicion qeverisës.

Deklaratën për planet e aneksimit të një pjese të Bregut Perëndimor, ai i bëri gjatë një adresimi televiziv.

Netanyahu tha se do të aneksojë të gjitha vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor, por kjo do të duhet të presë deri në shpalljen e planit të shumëpritur të presidentit amerikan Donald Trump për një marrëveshje paqeje midis izraelitëve dhe palestinezëve.

“Ekziston një vend ku ne mund të zbatojmë sovranitetin e Izraelit menjëherë pas zgjedhjeve”, tha Netanyahu për Luginën e Jordanit dhe veriun e Detit të Vdekur.

Por, ai tha se këtë do ta bëjë nëse merr nga qytetarët e Izraelit, një mandat të qartë.

Zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme do të mbahet të martën e ardhshme, pasi Netanyahu në fillim të këtij viti nuk arriti të formojë me sukses një qeveri të koalicionit.

Një nga udhëheqësit e partisë opozitare, Bardhë dhe Kaltër, Yair Lapid, tha se Netanyahu “nuk dëshiron të aneksojë territoret, por ai dëshiron të aneksojë votat”.

“Ky është një mashtrim zgjedhor” tha ai.

Më vonë të martën, Netanyahu derisa po bënte fushatë në qytetin Ashhod, truprojat e larguan nga skena.

Izraeli tha se rrëzoi dy raketa që palestinezët i kishit gjuajtur nga Rripi i Gazës.

Netanyahu e vazhdoi fjalimin e tij disa minuta më vonë.

Si përgjigje, Izraeli tha të mërkurën se avionët ushtarakë kishin goditur 15 objektiva në Gazë, përfshirë një strukturë armësh.

Cili është sfondi i çështjes së Bregut Perëndimor?

Lugina e Jordanit dhe zona veriore e Detit të Vdekur përbëjnë rreth një të tretën e Bregut Perëndimor. Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor, së bashku me Jerusalemin Lindor, Gazën dhe Rrafshnaltën e Golanit, në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967.

Izraeli aneksoi në mënyrë efektive Jerusalemin Lindor më 1980 dhe Rrafshnaltën e Golanit më 1981, megjithëse asnjëri nga këto veprime nuk u pranua ndërkombëtarisht për dekada.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka njohur të dy vendimet, duke vepruar ndryshe me politikën e mëparshme amerikane.

Fati i Bregut Perëndimor paraqet thelbin e konfliktit ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve. Izraeli ka ndërtuar rreth 140 vendbanime atje dhe në Jerusalemin Lindor, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, megjithëse Izraeli e kundërshton këtë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button