Zaevi tregoi se çfarë kërkoi opozita dhe pushteti për PSP-në, detaje për Prokurorinë e re(VIDEO)

Pas dështimit të takimit me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka sqaruar se, propozimi për formimin e prokurorisë së re, ka ardhur si rezultat se nuk është arritur kompromis për lëndët e Prokurorisë Speciale Publike(PSP) të pas 30 qershorit të 2017-s, transmeton Portalb.mk.

Sipas tij, Mickoski kishte një kërkesë, amnisti, ndërprerje dhe fund për rastet nga regjimi i kaluar.

“Mickoski ka një kërkesë, amnisti apo ndërprerje dhe fund për rastet nga regjimi i kaluar”, tha Zaevi.

Sipas Zaevit, opozita ka kërkuar: 

  • të gjitha lëndët e PSP-së deri më 30 qershor 2017, t’i marrë prokurori i propozuar nga ana e tyre.

“Kjo sigurisht bëhet që të vihet deri te shkatërrimi i tyre”, tha Zaevi.

  • Të ndërpriten të gjitha lëndët pas 30 qershorit. Respektivisht, qartë të mos precizohet me Ligjin për Prokurori Publike: Çfarë me ato lëndë që janë në procedurë parahetimore dhe hetimore? dhe
  • Të mbetet Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, me çka vetë të zgjedhin dhe të shkarkojnë prokurorë.

Sipas Zaevit, pushteti ka kërkuar:

  • Formim i një prokurorie të re e cila do të përndjekë korrupsionin e lartë;
  • Kryeprokurori i saj të jetë me propozim të opozitës, ta zgjedh Parlamenti dhe ta verifikojë Këshilli i Prokurorëve Publikë;
  • Prokuroria e re do të ishte në të njëjtin nivel sikurse Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit;
  • Lëndët u siguruan të kalojnë të gjitha te kryeprokurori republikan, Lubomir Joveski, pavarësisht a janë në procedurë parahetimore, hetimore apo gjyqësore;
  • Joveski do të vendoste se si do të veprohej me lëndët, çfarë do të punohej, ku do të shpërndaheshin,…;
  • Lëndët gjyqësore do të vazhdonin aty ku janë, duke iu caktuar prokurorë;
  • Lëndët që janë në procedurë hetimore dhe parahetimore të vlerësohen nga Joveski i cili do të vendoste se, çfarë do të ndërmerret ndaj tyre.
  • Joveski do të vlerësonte se, a ka dëshmi të mjaftueshme që ndaj lëndëve të hapet edhe aktakuzë.

Zaevi u shpreh i zhgënjyer nga takimi, nga sjellja e oponentëve dhe vlerësoi se, ata kanë vazhduar tregimin e njëjtë si me Marrëveshjen e Përzhinos, Marrëveshjen e Prespës: Gruevizëm deri vonë natës.

“Jam i zhgënjyer nga epilogu i takimit të liderëve dhe nga sjellja e oponentëve. Kisha shpresë, që këto dy vitet e fundit do të arrijnë ta ndryshojnë matricën e sjelljes dhe se, do të dalin nga keqbërja e paraardhësve të tyre, por për fat të keq, ajo nuk ndodhi. Ata nuk largohen as nga matrica e negociatave për Marrëveshjen e Përzhinos. I njëjti tregim ishte edhe për Marrëveshjen e Prespës, i njëjti tregim edhe tash: Gruevizëm deri vonë natës”, tha Zaevi, i cili shtoi se përshtypja e tij është se, Mickoski është i robëruar nga udhëheqësia paraprake e VMRO-DPMNE-së.

Zaevi: Nuk kemi alternativë tjetër, pos të ulemi dhe të bisedojmë

I pyetur se, pas dështimit të takimit a janë ndërprerë negociatat me opozitën dhe a është duke e menduar Planin B, Zaevi tha se, negociatat duhet të vazhdojnë, sepse nuk ka alternativë tjetër.

“Ne nuk kemi alternativë tjetër, përveç se të ulemi dhe të bisedojmë. Deri sot, me atë opozitë kemi sjell ligje të mira, për Këshillin Gjyqësor, për gjyqësorin, për Antikorrupsionin, për shumë ligje,… Kishim shpresë se, edhe këtu do të mund të gjejmë zgjidhje”, tha Zaevi.

Përndryshe, në takimin shtatë orësh nuk u arrit marrëveshje për Ligjin për Prokurori Publike, pasi që siç deklaruan burime nga grupet negociatore, pushteti kërkon që në krye të PSP-së së ardhshme të jetë Villma Ruskovska, me këtë lëndët e PSP-së të kalojnë në PTHP, dhe të vlejnë lëndët që janë hapur deri më 30 qershor. Nga ana tjetër, opozita ka kërkuar që në vend të Ruskovskës, në krye të PSP-së së ardhshme të jetë personi nga radhët e tyre, dhe lëndët deri në 30 qershor të shkatërrohen. Si zgjidhje, pushteti e ka futur në lojë edhe mundësinë e formimit të një Prokurorie të re, e cila do të përndjekë si pushtetin, edhe opozitën.

Në rolin e zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani tha se, miratimi i Ligjit për Prokurori me të cilin definohet statusi i Prokurorisë Speciale Publike(PSP), nuk është kusht për datën e nisjes së negociatave me Bashkimin Evropian, por vlerësoi se, është mirë që Ligji të miratohet para muajit tetor, muaj ky që sipas tij u cilësua historik sepse “Maqedonia e Veriut do ta marrë datën”.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi deklaroi se epilogu i këtij takimi, do ta përcaktojë edhe vënien në seancë plenare shkarkimin e kryeprokurores Speciale, Katica Janeva dhe të Ligjit për Prokurori Publike. Ndërkaq dje, PSP-ja është shprehur e shqetësuar me situatën e fundit të krijuar, dhe sigurinë e të punësuarve, obligimet, arkivin dhe materialet me të cilat disponon kjo prokurori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button