Osmani: Nuk ishim në takim, sepse nuk kemi problem me Ligjin

Në rolin e zëdhënësit të partisë, Bujar Osmani sot deklaroi se, Bashkimi Demokratik për Integrim(BDI) nuk ishte në takimin mes Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit, sepse nuk ka problem me Ligjin për Prokurori Publike, transmeton Portalb.mk.

“Si parti nuk kemi qenë, sepse nuk kemi problem me Ligjin. Ne si qeveri kemi dhënë pëlqim në seancë qeveritare”, tha Osmani.

Në rolin e zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Bujar Osmani tha se, miratimi i Ligjit për Prokurori me të cilin definohet statusi i Prokurorisë Speciale Publike(PSP), nuk është kusht për datën e nisjes së negociatave me Bashkimin Evropian, por vlerësoi se, është mirë që Ligji të miratohet para muajit tetor, muaj ky që sipas tij u cilësua historik sepse “Maqedonia e Veriut do ta marrë datën”.

“Është e rëndësishme që Ligji të miratohet para tetorit. Ajo që dje kishte biseda të gjata, jep mundësinë që dallimet të sqarohet, respektivisht të trajtohen në tryezë. Unë konsideroj se, liderët politikë dhe partiak; e kuptojnë rëndësinë e momentit, momentin historik që gjendemi para tetorit, dhe nuk do të lejojnë që të jenë fajtorë”, tha Osmani.

Sipas tij, dallimet për të cilat opozita dhe pushteti nuk arrijnë kompromis, “nuk janë të pakapërcyeshme, vetëm se duhet më shumë vullnet politik”.

Kjo deklaratë e Osmanit vjen pasi që dje, në takimin shtatë orësh nuk u arrit marrëveshje për Ligjin për Prokurori Publike, pasi që siç deklaruan burime nga grupet negociatore, pushteti kërkon që në krye të PSP-së së ardhshme të jetë Villma Ruskovska, me këtë lëndët e PSP-së të kalojnë në PTHP, dhe të vlejnë lëndët që janë hapur deri më 30 qershor. Nga ana tjetër, opozita ka kërkuar që në vend të Ruskovskës, në krye të PSP-së së ardhshme të jetë personi nga radhët e tyre, dhe lëndët deri në 30 qershor të shkatërrohen. Si zgjidhje, pushteti e ka futur në lojë edhe mundësinë e formimit të një Prokurorie të re, e cila do të përndjekë si pushtetin, edhe opozitën.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi deklaroi se epilogu i këtij takimi, do ta përcaktojë edhe vënien në seancë plenare shkarkimin e kryeprokurores Speciale, Katica Janeva dhe të Ligjit për Prokurori Publike. Ndërkaq dje, PSP-ja është shprehur e shqetësuar me situatën e fundit të krijuar, dhe sigurinë e të punësuarve, obligimet, arkivin dhe materialet me të cilat disponon kjo prokurori.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button