Urtësi e lashtë për demokracinë

Intelektuali shkodran, i ndjeri Daniel Gàzulli, me të cilin kam pasur vetëm disa korrespondenca, e solli në gjuhën shqipe një fjalim të Perikliut përballë athinasve. Fjalimi i burrështetasit, që i dha rëndësi të madhe artit, letërsisë dhe shkencës, më kishte shërbyer për të bërë një krahasim ndërmjet demokracisë athinase dhe demokracisë së shpërfytyruar. E ndjej se këtë fjalim madhështor duhet sërish ta shumëfishoj dhe ta komentoj.

Në vitin 461 p.e.s, Perikliu thoshte: “Qeveria jonë e favorizon shumicën e jo pakicën: prandaj quhet demokraci”.

Shekuj më vonë, do të thotë në kohën tonë, qeveria e favorizon pakicën, që e sundon shumicën.

Perikliu thoshte: “Ligjet këtu sigurojnë drejtësi të barabartë për të gjithë në çashtjet e tyne private, por na nuk injorojmë kurrë meritat e mendjeve të ndrituna”.

Shekuj më vonë, ligjet nuk sigurojnë drejtësi të barabartë për të gjithë qytetarët dhe injorohen meritat e mendjendriturve.

Perikliu thoshte: “Kur një qytetar dallohet, atëherë ai asht ma i preferuem se të tjerët dhe thirret që t’i shërbejë shtetit, por kjo jo si një privilegj për të, por si shpërblim për meritat, dhe vorfnia e tij nuk përban asnjë lloj pengese”.

Shekuj më pas, në një vend jo shumë larg Athinës, qytetari i dalluar mbetet i papunë. Të dështuarit në profesion gëzojnë privilegje dhe thirren që t’i shërbejnë shtetit.

Thoshte Perikliu: “Liria që gëzojmë shtrihet edhe mbi jetën e përditëshme; na nuk jemi dyshues njeni për tjetrin e nuk i sjellim kurrë bezdi të afërmit nëse atij i pëlqen të jetojë në mënyrën e vet. Na jemi të lirë, të lirë të jetojmë ashtu si na pëlqen e megjithate jemi gjithmonë të gatshëm t’i bajmë ballë çdo rreziku”.

Shumë vite pas kohës së Perikliut po na mbyt dyshimi dhe smira për njeri – tjetrin. Shpirtrat e lirë shihen me dyshim nëse refuzojnë ta jetojnë jetën sipas kornizave të mendjeve të suspenduara, të cilët mendojnë me “mendime të gatshme”, ndjejnë “me ndjenja të gatshme” dhe ngufatin autonominë e institucione publike.

Perikliu thoshte: “Një qytetar Athinas nuk lë kurrë mbas dore çashtjet publike ndërsa merret me punët private, por sidomos nuk çfrytëzon çashtjet publike për të zgjithë çashtjet private”.

Nëse në Athinë qytetarët bënin kështu, ndër ne çështjet private zgjidhen nëpërmjet posteve publike. I lumtur është ai që qëndron përmbi ligjin, i cili nuk vlen njësoj për qytetarin pa post publik dhe atë me disa poste publike. Qytetari pa post gjobitet për gjëra koti, kurse qytetari me post nuk dënohet për asgjë.

Perikliu thoshte: “Na kanë mësue t’i respektojmë gjyqtarët, na kanë mësue të respektojmë ligjet e të mos harrojmë kurrë se duhet të mbrojmë ata që fyhen. E na kanë mësue gjithashtu të respektojmë ato ligje të pashkrueme që bajnë pjesë në ndjenjën universale mbi çka asht e drejtë e mbi çka asht e pranueshme”.

Në kohën tonë qytetarët mundohen t’i respektojnë ligjet, por nuk i respektojnë ata që sjellin ligje. Gjyqtarët nuk i respektojnë qytetarët. Gjykatat ndajnë padrejtësi. Nëse vjedh një bukë të pret dënimi i tmerrshëm, nëse vjedh të gjithë furrat e bukës të shpallin qytetar nderi. Kemi krim pa ndëshkim. Kemi edhe krizë morale. Nuk respektohen as normat e pashkruara, të bartura brez pas brezi, që nuk bien ndesh me normat universale.

Thoshte Perikliu: “Një njeri që nuk interesohet për shtetin na e konsiderojmë të parrezikshëm, por edhe të padobishëm; edhe pse janë të paktë ata që mund të kontribuojnë në jetën politike, të gjithë këtu në Athinë jemi në gjendje të gjykojmë për te. Na nuk e konsiderojmë diskutimin pengesë në rrugën e demokracisë. Na besojmë se lumtunia asht e ardhmja e lirisë, por liria duhet të jetë vetëm fryt i vlerave”.

Ndryshe nga Athina e Perikliut, këtu gjithçka është përmbysur. Ata që flasin hapur dhe bien ndesh me propagandën zyrtare konsiderohen të rrezikshëm. Të gjykosh lirshëm për jetën politike përballesh me pasojat. Këtu liria arbitrare konsiderohet si liri e njëmendtë.

Thoshte Perikliu: “Unë shpall se Athina asht shkolla e Helladës e që çdo Athinas rritet tue zhvillue në vetvete gjithanshmëninë, besimin tek vetvetja, gadishmëninë për të përballue çfarëdo situate prandaj qyteti ynë asht i hapun për botën dhe na nuk dëbojmë kurrë një të huej. Këtu në Athinë na bajmë kështu”.

Fatkeqësisht, shteti (apo shtetet) nuk krijon hapësirë të njëjtë veprimi për të gjithë qytetarët. Ai jo vetëm nuk hapet me botën, por mbyllet edhe për shtetasit e vet!

Rileximi i fjalimit të Perikliut besoj se na mundëson ta bëjmë dallimin ndërmjet demokracisë së vërtetë dhe demokracisë së shpërfytyruar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button