Sky Sports: Kosova, Brazili i Ballkanit

Mediumi prestigjioz britanik, “Sky Sports”, ua ka prezantuar lexuesve të vet sot Kosovën në futboll, pak orë para përballjes mes Anglisë e Dardanëve në rrugën për Evropianin 2020.

Teksa e ka cilësuar si “Brazili i Ballkanit”, “Sky Sports” ka renditur pikat kyçe që duhet të njohin anglezët për Kosovën si shtet dhe kombëtare e futbollit.

Shfaqja e një kombi

Kosova, që ka popullatë prej rreth 1.8 milion banorësh, është dashur të luftojë për gati dhjetë vjet para se të pranohej në FIFA e UEFA si anëtare me të drejta të plota më 2016, tetë vjet pasi shpalli pavarësinë në shkurt të 2008-s.

“Disa shtete, përfshirë Serbinë, akoma nuk e njohin sovranitetin e Kosovës dhe çështja vazhdon të përzihet edhe në futboll”, shkruan ky medium duke theksuar arrestimin e tetë fansave çekë para ndeshjes Kosovë – Çeki, e të cilët kishin planifikuar të shfaqnin një dron gjatë ndeshjes, me një flamur ku do të shkruante “Kosova është Serbi”, transmeton Koha.net.

Duke luajtur ndeshje jozyrtare deri më 2010, Kosova nisi të luante me anëtaret e FIFA-s miqësore më 2014, duke barazuar në miqësoren e parë me Haitin. Kosova luajti ndeshjen e parë ndërkombëtare në shtator të 2016-s, baras 1 me 1 me Finlandën, në kualifikimet për Botërorin 2018 dhe që nga ajo kohë ka marrë pjesë në Ligën e Kombeve dhe tash në kualifikimet për “Euro 2020”, shkruan më tej “Sky Sports”.

Përzgjedhësi

Bernard Challandes ndoshta s’ka pasur emër të njohur deri në një konferencë me pasion, por ai ka prekjen e artë kur bëhet fjalë për menaxhimin e Kosovës, vazhdon ky medium.

“68-vjeçari mori udhëheqjen më 2018 dhe ka kthyer rezultatet. Ai nuk ka pasur karrierë të bujshme të lojës, duke luajtur në ligat e ulëta të Zvicrës, por ka pasur karrierë të gjatë menaxheriale. Ka qenë në krye të ekipeve zvicerane, përfshirë Young Boys, të Zvicrës U21 dhe ka menaxhuar Armeninë, por u dorëhoq pas dështimit për kualifikim në ‘Euro 2016’”, thuhet në përshkrimin për trajnerin e Kosovës që ka fituar ligën e Zvicrës më 2009 me Zurichun.

Forma

Ardhja e Challandesit si pasues i Albert Bunjakit më 2018 ka kthyer rezultatet e Kosova. “Dardanët” janë të pamposhtur në 15 ndeshje, duke fituar 10 prej tyre, dhe “janë në garë për të arritur Evropianin e verës së ardhshme, me fansat që e cilësojnë si ‘Brazili i Ballkanit’”, transmeton Koha.net.

Forma e tyre e mirë ua mundësoi të dominojnë në Ligën e Kombeve që u ka garantuar pjesëmarrjen në fazën e play-offit, dhe janë “arrë e fortë” në Grupin A të Anglisë, pas fitores ndaj Bullgarisë e Çekisë.

Fitorja 2 me 1 ndaj Çekisë në fundjavë e çoi në 15 numrin e ndeshjeve pa humbje, serinë më të gjatë në Evropë. Aktualisht janë në vendin e 120-të në ranglistën botërore të FIFA-s, teksa Çekia është e 43-a e Bullgaria e 60-a.

Yjet

“Sky Sports” ua ka cekur lexuesve të vet se një nga më të njohurit nga ky ekip është sulmuesi i Sheffieldit, Atdhe Nuhiu, shtatgjati me fuqi të madhe.

Bersant Celina është po ashtu fytyrë e njohur. Ai luan në Swansea në Championship, pasi kishte nisur nga Manchester City.

Gazetarët Kaven Solhekol dhe Mark McAdam

Solhekol ka thënë se ka një lidhje të veçantë mes dy shteteve që kur Britania me NATO-n bombarduan caqet serbe më 1999 që çoi në pavarësinë e Kosovës.

Ai ka theksuar se ish-kryeministri britanik, Tony Blair, shihet si figurë e rëndësishme në Kosovë dhe ka edhe fëmijë që kanë marrë emrin Tonibler.

Solkehol që ka përcjellë konferencën e Challandesit para ndeshjes ka thënë se trajneri zviceran pret që loja e tij ta pengojë Anglinë dhe “beson që lojtarët e tij nuk duhet të nënvlerësohen nga kundërshtarët”.

“Për këtë s’ka rrezik. Gareth Southgate e pret këtë përballje si testin më të vështirë deri tash në kualifikime. Kosova s’ka pësuar humbje që dy vjet dhe seria prej 15 ndeshjeve pa humbje është më e gjata në Evropë”, ka deklaruar ai.

“Të shpresojmë që mbrojtësit anglezë do të kenë natë të qetë në St.Mary’s”, ka shtuar Solkehol.

Në anën tjetër Mark McAdam ka thënë se djemtë e kombëtares, që s’ekzistonte para tre vjetësh, po e bëjnë të njohur shtetin në botë.

“Tre vjet më parë, nuk kishte kombëtare të Kosovës, tani po. Dhe djemtë po e bëjnë të njohur veten në botë. Të pamposhtur në 15 ndeshje për dy vjet, rritja meteorike e tyre në arenën ndërkombëtare s’është asgjë tjetër pos mrekulli. Ndeshja e ardhshme përshkruhet si më e madhja e tyre. Ata do të përballen me superlojtarë që i shohin çdo javë në Premier Ligë. Të Tmerruar? Jo. Të brengosur? Jo. Të emocionuar? Po. Por për ta është vetëm një tjetër ndeshje”, ka deklaruar ai.

Ai ka treguar më tej që ka takuar Bersant Celinën dhe Elbasan Rashanin, që iu kanë dukur të relaksuar dhe të fokusuar vetëm në ndeshje. Ka treguar se ua ka parë letrat me diagrame të shumta, me shënime të trajnerit të tyre, vetëm 24 orë para “ndeshjes më të madhe të jetëve”.

McAdam ka treguar se ka biseduar me ta për familjet, klubet e trajneri karizmatik, për të cilin “Dardanët” thonë se është i njëjtë edhe në zhveshtore.

“Ata e dinë historinë e shtetit të tyre, kanë parë filma, kanë dëgjuar rrëfime, kanë përjetuar ato momente përmes gjyshërve të tyre”, ka thënë më tej McAdam.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button