Shkolla Fillore “Ilirija” e fshatit Neproshten

Te njeriu gjithnjë është e pranishme kureshtja për të eksploruar të panjohurën, për të zbuluar gjërat e mbështjellura me aureolën e harresës. Me këtë nuk pretendoj vetëm të çjerri tisin e anamnezës që ka pllakosur gati çdo vlerë dhe pasuri të traditës, por edhe të mundohem t’i shpëtoj ato nga humbëtirat e kohës. E, me këtë rast, papandehur i dorëzohem impulsit për të shuar xixat  prafulluese të kërshërisë sime përgjëruese për të njohur, kuptuar dhe publikuar historikun që ka të bëjë me arsimin dhe shkollën shqipe në vendbanimin  që dikur llogaritej fshati i fundit i krahut veri-lindor të Tetovës, që i takonte Pushtetit në Administrimin Shqiptar, përkatësisht “Shipnis’”.

Në kontekst të historikut të arsimit dhe shkollës shqipe në Neproshten, për kurreshtarët e beftë të këtij vendbanimi, dhe jo vetëm, është me rëndësi të theksohet fakti apodiktiv se e kaluara arsimore dhe edukative përligjej me frymën e traditës atdhetare e kombëtare, e  ku mësuesit ishin shqiptarë dhe programet arsimore përshkoheshin ekskluzivisht në gjuhën amtare shqipe.

Këshilli administrativ i Ministrisë në Tiranë, në marsin e vitit 1942, në mënyrë të gjithanshme e analizoi rrjetin e posaformuar të shkollave fillore shqipe në Maqedoni e në Kosovë, ku ndër shumë shkaqe që e pengonin përshpejtimin e zhvillimit cilësor të arsimit të detyrueshëm fillor pesëvjeçar, ishte mungesa e kuadrit mësimor. Në shumë fshatra edhe pse ekzistonin ndërtesa shkollore, madje të përgatitura e të pajisura teknikisht për punë, nga mungesa e mësuesve ato nuk u hapën në vitin 1941/42, siç ishte edhe rasti me Neproshtenin. Problem ishte edhe mosnjohja e gjuhës shqipe, prandaj, Ministria e Arsimit vendosi që gjatë verës së vitit 1942 të fillojnë të funksionojnë kurset e posaçme, të cilët kishin karakter të përkohshëm, por në këto kurse ishte paraparë zhvillimi i rregullt i mësimit për të luftuar analfabetizmin. Këto kurse i përfshinin nxënësit e shkollës fillore dhe frekuentuesit e moshuar – të rriturit.

Më 14 korrik 1942 Ministria e Arsimit telegrafisht e informoi Inspektorinë e Arsimit në Tetovë mbi emërimin e mësuesve për të punuar në kurset verore 1942 në Qarkun e Tetovës, ku u përfshi edhe  Neproshteni, me ç’rast u emërua mësuesi Kiço Panidhi. (Shih: Prof. dr. sc. Abdylazis Veseli: Shkollat dhe arsimi shqip në Maqedoni gjatë periudhës 1941-1944, fq. 180).

Mësuesi në fjalë, përveç që  realizonte këtë  aktivitet me banorët e këtij vendbanimi (në objektin e xhamisë së fshatit), bënte edhe përgatitjen për fillimin e vitit të rregullt mësimor: 1942-43. Kështu edhe përpjekjet këmbëngulëse u kurorëzuan me sukses: shkolla fillore në fjalë, me disa vështirësi të vogla u hap në vitin shkollor 1942/43. Kishte gjithsejt 43 nxënës, pa asnjë vajzë. Mësuesi i parë i shkollës së Neproshtenit ishte Emin Softa. (Shih: Raporti final i Inspektorit t’Arsimit në Tetovë për vitin shkollor 1942/43 (AQSH, F-295, v. 1943, d.78, fl.28).

Në vitin shkollor 1943/44, shkolla fillore “Ilirija” e Neproshtenit i kishte gjithsejt 82 nxënës, prej të cilëve 53 meshkuj dhe 29 femra, të cilët punonin në kl. I dhe të II fillore. (Shih: Raporti final i Inspektorit t’Arsimit në Tetovë për vitin shkollor 1942/43 (AQSH, F-295, v. 1944, d.146, fl.64).

PLANI MËSIMOR DHE FAVORIZIMI I GJUHËS SHQIPE

Si të gjitha shkollat fillore në kuadër të Administrimit Shqiptar, edhe shkolla fillore: “Ilirija” – Neproshten, ka funksionuar sipas planit mësimor në vijim:

Duke i hedhur një vështrim analitik planit dhe programit mësimor  me të cilin funksiononte   shkolla shqipe e kësaj kohe, menjëherë të bie në sy fakti indikativ, i cili dëshmon favorizimin e gjuhës shqipe (me 14 apo 13 orë në javë). Këtë komparacion e bëjmë edhe në rrafshin vertikal  të  kuantumit të orëve të dedikuara për lëndën e gjuhës shqipe  vizavi lëndëve tjera mësimore, por  edhe në rrafshin  horizontal – duke marrë parasysh tretmanin e gjuhës shqipe si lëndë mësimore nga periudha e pasluftës e deri më sot. (Shih: Plani mësimor për shkollën fillore – fondi i orëve brenda javës).

Kështu, në vend të përfundimit, do të përçoja një mesazh dashamirës tek autoritetet arsimore në vend, më konkretisht: do të doja që hartuesit e programeve arsimore të kthejnë sytë pak nga e kaluara e shkollës së traditës, të nxirren përvojat pozitive e të flaken ato që rëndojnë programet tona arsimore. Jo gjithçka që është e “vjetër” duhet  fshirë  nga praktika… Ja programet e reja që terrorizojnë shkollën tonë “moderne”:  tre gjuhë tjera të huaja i qëndrojnë mbi shpinë  gjuhës amtare me 5 orë në javë… E, nxënësi i padjallëzuar shqiptar, akoma do të torturohet, jo vetëm me programe volluminoze, por edhe me nga 7 orë mësimore (kl.V) në ditë… Eh, “reformë e reformë…!”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button