Ministria nuk heq dorë ndaj fruthit: Fëmijët e pavaksinuar nuk do të regjistrohen në çerdhe dhe shkollë

Ministria e Shëndetësisë nuk heq dorë nga vendimi paraprak, që fëmijët e pavaksinuar kundër fruthit – me MRP të mos regjistrohen në çerdhe dhe shkollë fillore, transmeton Portalb.mk.

Këtë e bëri të ditur sot ministri, Venko Filipçe duke thënë se ky vendim do të qëndrojë në fuqi derisa Komisioni për sëmundje ngjitëse ta përfundojë analizën e situatave të reja të krijuara.

“Këtë javë do të thirr takim të Komisionit të sëmundjeve ngjitëse, sepse ai është duke i analizuar situatat e reja të krijuara, dhe do të shohim se a do të qëndrojmë në të njëjtin vendim ose do të kemi rekomandim të ri. Nuk do të heqim dorë nga ajo që e kemi kërkuar, sikur për çerdhet ashtu edhe për shkollat”, tha Filipçe.

Ministri Filipçe ka njoftuar se, gjatë javës së kaluar 5 fëmijë janë sëmurë nga fruthi, ndërkaq gjendjen e imunizimit e ka cilësuar si të shkëlqyer.

“Javën e kaluar kemi pasur 5 fëmijë të sëmurë nga fruthi, të gjithë janë të pavaksinuar. Katër janë në territorin e qytetit të Shkupit, dhe 1 në Kumanovë. Mund të them se gjendja e imunizimit, në krahasim me muajin janar, është e shkëlqyer, dhe besoj se do të jetë kështu, pavarësisht asaj se ka filluar viti shkollor”, tha Filipçe.

Ai deklaroi se sa i takon vaksinimit kundër fruthit, mbi 99 për qind është përfshirja në qytetin e Shkupit, dhe mbi 95 për qind në territorin e shtetit.

Ministria e Shëndetësisë pati dhënë urdhër që mos të regjistrohen në shkollë fëmijët të cilët nuk kanë marrë vaksinën kundër fruthit, kjo për shkak se, në Maqedoninë e Veriut u shpall epidemia e fruthit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button