Kosovë, pagat me rritje nga dhjetori

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do mbahen më 6 tetor dhe formimi i qeverisë së re, sipas zyrtarëve të qeverisë në largim, nuk do të kenë efekt në zbatimin e Ligjit për pagat, i miratuar në muajin shkurt në Kuvendin e Kosovës.

Probleme për shpërndarjen e pagave me rritje, nuk parashikohen edhe pse në buxhetin aktual nuk është paraparë shuma për zbatimin e Ligjit për pagat. Kurse projektimin e buxhetit për vitin e ardhshëm pritet ta bëjë Qeveria e re e Kosovës, që do të dalë si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Sipas afateve ligjore, nga muaji dhjetor i këtij vitit, punëtorët e sektorit publik pritet të marrin pagat me rritje. Në bazë të këtij ligji, pagat në sektorin publik janë rritur për 70 për qind të punëtorëve.

Ministri në largim i Financave në Qeverinë e Kosovës, Bedri Hamza, tha për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht situatës së krijuar politike me zgjedhjet, Ligji për pagat do të zbatohet në periudhën e paraparë.

“Nuk ka asnjë vështirësi për mbulimin e kostos sepse ka mjete të mjaftueshme buxhetore për kategorinë e pagave. Për vitin 2020, jemi në proces të përgatitjes së buxhetit dhe do shohim se ku do të jetë vlera e pagave. Ndërsa për vitet vijuese, krijohet hapësira si rezultat i rritjes ekonomike për të mbuluar koston e Ligjit të pagave pa ndonjë vështirësi”, thotë Hamza.

Numri i punëtorëve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 82 mijë. Paga mesatare në sektorin publik, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018 ishte 573 euro.

Kurse në sektorin privat, që llogaritet të ketë rreth 250 mijë punëtorë, 410 euro është paga mesatare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button