Besian Mehmeti: U udhëhoqa nga ideja për të bërë ndërlidhje mes parkut dhe shkollës

Shkolla e re “Kiro Gligorov” në Lagjen Kapishtec të Shkupit, e cila me pamjen e saj moderne është pamje freskuese nga pamja e barokut në të cilën gjatë dekadës së kaluar është ndërtuar kryeqyteti, është vepër e arkitektit 35-vjeçar, Besian Mehmeti. Së bashku me ekipin e tij të studios BMA, në vitin 2013 aplikoi në konkursin e Komunës Qendër për zgjidhje ideore të shkollës së re komunale. Pikërisht fakti që në konkurs ishte kërkuar shprehje bashkëkohore, kishte qenë edhe arsyeja për të aplikuar.

“Skena arkitektonike në atë periudhë, kur projekti ‘Shkup 2014’ po arrinte kulmin, ishte e mjerueshme. Konkursi i hapur dhe publik i Komunës Qendër, me lirinë dhe nxitjen për shprehjes moderne, ishte shpresë jo vetëm për ne, por edhe për arkitektë tjerë me të cilët kemi komunikuar dhe jemi shoqëruar. Interesi i jashtëzakonshëm i zgjidhjeve të dërguara e argumenton këtë. Në fakt, ajo liri dhe transparencë, mendoj, ndikoi edhe në vizionin tonë për shkollën”, thotë në një bisedë për SDK, Besian Mehmeti.

Shkolla Fillore Kiro Gligorov
Shkolla Fillore Kiro Gligorov

“Deshëm që përmes fasadës së qelqit përmbajtja e jashtme dhe e brendshme të ngërthehen njëra në tjetrën. Ajo lejon që natyra të bëhet pjesë e së brendshmes, ashtu që nxënësit do të kenë pamje të vazhdueshme të gjelbërimit të begatë”, thotë Mehmeti.

Nga 20 zgjidhje e paraqitura ideore komisioni i Komunës Qendër, në kohën kur kryetar i komunës ishte Andrei Zernovski, e zgjodhi projektin e Mehmetit dhe studios së tij “BMA”.

“Sinqerisht, kur i kujtoj momentet kur e bëmë koncipimin e projektit, ndonëse ishim të rinj, besuam në idenë tonë që nga skicat e para. Me ndërtimin e shkollës, kam një ndjenjë që ia kemi kthyer besimin e treguar Komisionit dhe drejtuesve të komunës të cilët e bartën projektin deri në realizimin përfundimtar”, thotë Mehmeti.

Gjatë hartimit të projektit janë udhëhequr nga ideja për të animuar gjelbërimin e parcelës. Krijimi i një simbioze midis shkollës dhe parkut kishte qenë qëllimi që i kishte drejtuar gjatë punës.

“Në aspektin konceptual, struktura e ndërtesës ndahet në tre trakte ose shirita bazë, prej të cilave ai qendrori është për aktivitete të përbashkëta, ndërsa shiritat anësorë janë për mësim. Me lëvizja dhe hapje të trakteve hapen vizione, definohet hyrja, natyra përfshihet brenda në objekt dhe krijohen hapësira të reja për mësim dhe lojë. Deshëm që përmes fasadës së qelqit përmbajtja e jashtme dhe e brendshme të ngërthehen njëra në tjetrën. Ajo lejon që natyra të bëhet pjesë e së brendshmes, ashtu që nxënësit do të kenë pamje të vazhdueshme të gjelbërimit të begatë qoftë gjatë qëndrimit qoftë gjatë lëvizjes në shkollë. Deshëm të fitojmë vend i cili do t’i frymëzojë gjeneratat e ardhshme “, tha Mehmeti, arkitekt i diplomuar në Fakultetin e Arkitekturës në Shkup.

Mehmeti thotë se kur e kanë bërë konceptin e shkollës kanë dashur që gjeneratave të ardhshme t’u mundësojnë të mësojnë në objekt me të cilin do të krenohen.

“Qëllimi ynë i vetëm ishte të hapim perspektiva të reja për të rinjtë. Sigurisht, paraprakisht studiuam dhe analizuam  shembuj nga vende tjera në botë, por edhe ato  lokalë. Unë jam shkolluar në shkollën fillore Liria në Tetovë, e ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, me shumë përshtatje dhe rregullime, diametralisht e kundërta nga ajo që ne e ofruam në projektin tonë. Përmes këtij projekti dhe qasjes projektuese deshëm të japim një kontribut për ngritjen dhe përmirësimin e procesit arsimor, krijimin e brezave të ardhshëm, në korniza që i mundëson domeni jonë – arkitektura”, shton Mehmeti.

Mehmeti, 35 vjeç, deri tani ka punuar në një numër projektesh tjera, si Sheshi Skënderbeu në Shkup, Teatri dhe Biblioteka e Tetovës, Qendra Kulturore Autokomandë dhe objekte të shumta banimi dhe komerciale brenda dhe jashtë vendit.

Mehmeti beson se edhe në të ardhmen në të gjithë vendin duhet të shpallen konkurse publike dhe të ndërtohen objekte moderne duhet dhe se ai si dhe gjenerata e tij e arkitektëve mund të kontribuojnë që Shkupi të fitojë ndërtesa moderne dhe frymëzuese.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button