PARTIA

Ecim buzë Vardarit, në Shkup,  në grupe prej pesë a gjashtë vetash. Jemi plot. Ndoshta njëqind veta, ndoshta edhe më shumë. Jemi nga të gjitha anët e këtij vendi të vogël që e mban veten sikur të kishte qenë ndonjë superfuqi, qendra e botës rreth të cilës sillen edhe yjësitë. Të këtij vendi që s’na shti në tefter fare. Jemi mbledhur për një punë me peshë: do ta bëjmë partinë. Partinë, e cila do të na nxjerrë nga thonjtë e diktaturës dhe do t’i hapë dyert e mëdha të demokracisë. Partinë që do të na bëjë neve dhe gjuhën tonë – të barabartë me të tjerët. Që nuk do të lejojë të jemi bira e fundit e kavallit, si deri më tash. “Boll ishte! Erdhi koha që vet ta kemi fatin tonë në dorë”! thotë njëri me temperaturë, kurse një venë i dukej e fryrë në fyt dhe shkuma në buzë e nga sytë thuajse i dilnin shkëndija. Njeri i mirë. Duket..

Ka në këtë mes njerëz që i kanë fjalët pushkë dhe të vjen keq që janë të veshur me kostume e kanë kollare varur për qafe. Më shumë do t’u shkonin kostumet e Bacës Isë, Isë Boletinit. Ama veç teshat, jo veprat, sepse për dallim nga Baca Isë këta vështirë se do të kenë parë revole e lere më të kenë shtënë me të. Është edhe një dallim i vogël midis tyre dhe Bacës Isë. Derisa Baca Isë ka lënë nam e vepra pas vetes, këta për herë të parë ballafaqohen me sfidat politike. Ka edhe diçka: Baca Isë ka ecur gjithmonë me shikim përpara dhe fjalën e ka pasur fjalë se jo mahi. Pastaj Baca Isë pesë para s’i ka dhënë a i shkon kush si hije prapa. Këta s’janë si Baca Isë. Këta vazhdimisht e rrotullojnë kokën të shohin mos, helbete, na vjen dikush nga hijet e milicisë “popullore”. Thonë: “Kam fëmijë, baco”! I bie se s’janë gjë fëmijët e atyre që janë sakrifikuar për ndonjë ideal. Midis këtyre burrave ka edhe ndonjë sarhosh e ndonjë kodosh. E ku ta dish, ndonjëri mbase edhe e ka në gjak të çojë ndonjë fjalë atje te Supi, që milicia “popullore” të jetë përherë gatitu, në “mbrojtje të bashkim-vëllazërimit”.

Ecën tufa me burrat konfidentë dhe me ata të tjerët. Anash, nga “lart” na ndjek hap pas hapi syri i madh i pushtetit, i padukshëm. “Kujdes, kujdes”… thotë një politikan i vjetër nga garnitura e kuqe. “Mos u ngutni! Më dëgjoni! I di unë më mirë si shkojnë këto punë”! I di ai, por s’ka bërë gjë më parë sa ka qenë në pushtetin e kuq. Pastaj ndonjëri ndahet nga tufa padiktueshëm! Kur e kërkojmë në ndarje për t’u përshëndetur, nuk e gjejmë dot. Ose do t’ia ketë mbushur mendjen “pushteti popullor” që të heqë dorë nga kjo ide e formimit të partisë ose ky pushtet ia ka mbyllur gojën”… Qe si qe, tufa mbetet një ditë pa një, ditën tjetër pa dy, pastaj pa tre e kështu me radhë. Dhe, këta “heronj” thyhen, e humbin luftën dhe përfundojnë nëpër mejhane me sarhoshët dhe kodoshët. Me net mbeten në nebulozën e mejhaneve. Të nesërmen, esull, të çliruar nga pushteti i rakisë kthehen nëpër shtëpitë e veta ku i pret gjyqi i tmerrshëm i pushtetit të grave.  O, më mirë do ta kishin pasur të kalonin nëpër Kalvar.

Tufa e zvogëluar e vazhdon udhëtimin rreth Vardarit edhe ndonjë ditë. Ditëve të tjera  mblidhet nëpër restorante. Herë te “Gjuetari”, herë në një kafene në çarshi e gjetiu. Vazhdimisht tiret fija e kërkohet zgjidhja më e përshtatshme për formimin e partisë. Dikur vijnë selamet nga “lart” se nuk do të na lënë të formojmë parti shqiptare. Kurrsesi! Nuk mundet! Po halli? Epo, duhet të gjenden njerëz nga radhët e kombeve e kombësive që bashkë me ne të dalin si themelues të partisë qytetare, jo parti shqiptare. Ka ndonjë zë që kundërshton.  “Pse s’mundka”?… Ndërkohë syri i madh e bën punën e tij.

Në tufë ka mbetur një grusht njerëzish të vendosur. “Do të gjejmë njerëz nga kombet… do të gjejmë edhe nga kombësitë… do të gjejmë edhe nga grupet etnike… Dhe, partinë do ta bëjmë”!

Kundërshtarët e pjesëmarrjes së pjesëtarëve të kombeve e kombësive dorëzohen. Heshtin. Fillon kërkimi nëpër labirintet e bashkim-vëllazërimit. Pyet njërinË a po vjrn kështu, kështu do ta bëjmë një parti – ai ta kthen me ironi, pyet tjetrin – ta kthen me të keq: “Hajt bre, punë që s’bëhet”! Më në fund gjenden njerëz që pranojnë, pak njerëz, fare pak. Pak. Pak, sa të kryhet puna.

Afrohet realizimi i qëllimit. Do të bëhet partia! Po emri? Si do të quhet partia? Mblidhemi te “Gjuetari”. Njëri e jep një propozim. Nuk pranohet. Nuk pranohet as propozimi i dytë. As i treti. E kështu me radhë. Më në fund pranohet propozimi që jep një zonjë.

Krejt kushtet për formimin e partisë janë bërë. Edhe salla është gjetur. Shtëpia e kulturës. Brenda ka plot njerëz. Fytyra që i njohim e që s’i njohim. Fillon mbledhja në gjuhën shqipe. Mirëpo për shkak të pjesëmarrjes së nj pjesëtari nga radhët e kombeve, njerëzit sipas inercisë së vjetër – flasin në gjuhën shtetërore dhe njëri-tjetrit i drejtohen me “shok”. “Siç tha shoku parafolës” – thonë më shumë.

“Miq të dashur, nuk ka ‘shokë ideologjikë’ më! Tash jemi zotërinj e zonja, thotë dikush”. Po folësit e kanë vështirë të dalin nga kjo shprehi.

Mbledhja nuk zgjat shumë. Dalim krenarë. U formua partia. Ia dolëm.

Jashtë qarkullojnë andej e këndej makinat e pushtetit popullor.

Dëgjohen grahmat e një sistemi. Po ushtarët e tij shpejt u adaptohen kushteve e rrethanave të reja. Sa çel e mshel sytë gjejnë vend në radhët e partisë. E me bërryla nisin të na nxjerrin neve jashtë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button