Grevistët, të zhgënjyer me Presidentin

Greva e urisë e ish të përndjekurve politikë ka hyrë në ditën e saj të 23-të dhe ata vazhdojnë t’i bëjnë thirrje qeverisë, autoriteteve, shoqërisë civile, madje edhe komuniteteve fetare për t’i mbështetur në këto ditë të vështira.

Në një deklaratë para mediave paraditen e së dielës, grevistët shprehën zhgënjimin e tyre me heshtjen e deritanishme të institucioneve për kërkesat, që sipas tyre janë plotësisht të realizueshme. Ish i përndjekuri, Fatmir Lamaj kritikoi qëndrimin e Presidentit të Republikës për heshtjen që po mban.

“Takimi me presidentin na ngjalli shpresë. Por mosreagimi i tij ende deri më sot, na detyron të bëjmë pyetjen, a kemi vërtet president? Jemi të zhgënjyer me qëndrimin e mbajtur nga presidenti, megjithëse duhet thënë se edhe ditën e takimit, ai vetëm sa mbajti shënime, nuk foli”, deklaroi grevisti Fatmir Lamaj, transmeton TCH.

Lamaja tha se gjendje shëndetësore e grevistëve është e rëndë, por pavarësisht kësaj, ashtu si edhe në deklaratat e mëhershme, shprehu vendosmërinë për të vazhduar rrugën e nisur edhe pse mund t’u kushtojë jetën.

“Shumë prej nesh janë në gjendje të rëndë, por ne jemi të vendosur të shkojmë drejt fundit të sigurtë”, tha Lamaj.

Ish të përndjekurit shprehën zhgënjimin e tyre edhe me qëndrimin e Avokatit të Popullit dhe i bënë thirrje Ministrisë së Financave të mos abuzojë me deklaratat me shifrat duke fryrë shifrat për dëmshpërblimin e tyre.

Dita e 23-të e grevës së urisë ka sjellë rëndimin e mëtejshëm të shëndetit të ish-të përndjekurve politikë, me njërin prej tyre që u shoqërua në mesditë në spital për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Sipas mjekëve të pranishëm, Fatmir Loçi nuk ishte më në gjendje të vazhdonte privimin nga ushqimi dhe si rrjedhojë u dërgua për trajtim në kompleksin spitalor “Nënë-Tereza”.

Ndërkohë, në grevë kanë mbetur edhe tetë grevistë, të cilët kanë vendosur që të refuzojnë trajtimin mjekësor, duke këmbëngulur në atë që tashmë e quajnë “greva e vdekjes”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button