“Qark i (pa)mbyllur burgjesh”, Enver Dugolli në Shkup rrëfeu për tmerrin e Burgut të Dubravës

Sot në ambientet e Komunës së Çairit është promovuar libri “Qark i (pa)mbyllur burgjesh”, i ish të burgosurit politik Enver Dugolli, i cili dëshmon për tmerret për burgun famëkeq të Dubravës, njofton Portalb.mk.

“Para se të flasë për librin edhe unë dua të ndajë një shqetësim i cili vërehet jo vetëm këtu por gjithandej në trojet shqiptare një indiferencë për të ardhmen dhe të tashmen tonë.  Në burgun e Dubravës, as mendja nuk më shkonte se do të shpëtoja, gjithmonë e kisha mendjen athua a do të shpëtonte ndokush  që të rrëfente e të tregonte se çka kishte ndodhë dhe çka po ndodhë në burgun e Dubrovës. Kurrë nuk ma ka marr mendja se 20 vite pas luftës edhe pse shpëtuam shumë, kjo indiferenca dhe heshtja më vret sepse nuk është në pyetje vuajtja e një individi apo sakrifica e një individi, por sakrifica e një populli, sepse përmes një libri vetëm një segmenti vogël përshkruhet”, tha Dugolli përpara të pranishmëve.

Recensenti i librit, Elvis Hoxha solli një tregim për librin përpara të pranishmëve.

“Ajo që na bashkon neve shqiptarëve në mënyrë kaq speciale është sakrifica dhe vuajtjet që bëjnë shqiptarët. Unë bëjë thirrje te të gjithë që të lexohet ky libër veçanërisht të rinjtë, jo sepse unë e kam redaktuar as sepse Enver Dugolli, e ka shkruar. por sepse nuk ka kuptim të ekzistojë Shqiptari, kur nuk njehë nëpër breza ata që i ka bërë që ai të jetoj tani. Mua nuk më duhet t`i njohë 7 milion shqiptarë një nga një por më duhet t`i njohë veprat e 7 milion shqiptarëve.  Libra të tillë vuajtje mua shqiptarit të Shqipërisë ma bëjnë të qartë se në çfarë luksi jetoj unë”, tha profesori universitar Elvis Hoxha.

Në promovim gjithashtu ishin edhe dy aktivistë nga Prishtina, Rina Shabani dhe Afrim Berisha të cilët thanë fjalë miradije për librin.

“Për ta rikthyer  në vetëdijen tonë historike dhe kolektive atë që nuk duhet kurrë për ta harru përjetimin e dëshmitarëve në burgun e Dubravës, tani neve në kohën e duhur na vjen si rikujtim dhe si pasuri historike dhe kolektive libri “Qark i (pa)mbyllur burgjesh”, me autor nga Enver Dugolli. Ky libër nuk është vet-rrëfim, ky libër është dëshmi, e një historie pak të dëshmuar,  janë përjetime të luftës për atdhe, e për jetën, motivin dhe shpresën në të njëjtën kohë se dikur mëngjeset kemi për t`i pritur në Kosovën e lirë. Prandaj ky libër është një dramë reale e përjetuar tash edhe e dëshmuar edhe nga ata që i kanë shpëtuar ferrit të Dubravës, ky libër ka ardhur edhe në kohën e duhur”, tha Rina Shabani.

“Ky libër duhet të shërbej si ngritës i vetëdijes politike te të rinjtë. Ky libër në vetvete është shkollë politike. Dua ta rikujtoj se regjimi i Millosheviçit, përndiqte, torturonte dhe burgoste secilin të ri i cili guxonte të dilte kundër atij sistemi. Por të rinjtë e viteve `80 dhe `90 nuk na ngjanin shumë neve dhe pasivitetit tonë. Ata shpërthyen me guxim dhe pjekuri duke mos u nënshtruar dhe duke i lëvizur proceset politike përtej parashikimeve. Këtu më duhet patjetër ta citoj edhe autorin ku në një fjali thotë: Edhe pse i pjekur duhet të veproja për Kosovën, në Kosovë dhe nuk duhet ta zgjidhja mërgimin, ose më mirë luftë politike brenda sesa strehim politik jashtë”, tha Afrim Berisha.

Përndryshe, libri llogaritet si dëshmi për masakrën në burgun e Dubravës, ku gjenocidi kryhej brenda dhe jashtë mureve në pranverën e vitit 99′, për rininë studentore atdhetare e cila i lëvizi proceset përtej parashikimeve dhe rrugëtimi drejtë lirisë, tmerret e përjetuara nga të burgosurit politikë, njohja me veprimtarët e çështjes shqiptare, Ukshin Hotin, Albin Kurtin dhe me kryekomandantin Adem Jashari, pastaj letërkëmbimet e publikuara për herë të parë mes familjarëve dhe shokëve (dorëshkrim origjinal).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button