Ministri Nuredini: Nuk kemi sistem efikas për monitorim të cilësisë së ajrit

Aktualisht nuk kemi sistem efikas për monitorim të cilësisë së ajrit dhe stacionet matëse nuk janë riparuar, por po bëjmë përpjekje për ta rikthyer atë në normalitet, tha ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini në takimin me shoqatat joqeveritare ekologjike, njofton META, transmeton Portalb.mk.

Ministri konfirmoi se pjesët e dëmtuara të stacioneve për matjen e grimcave të dëmshme në ajër janë siguruar dhe se së shpejti ato duhet të funksionojnë sërish, ndërsa për vitin e ardhshëm, në kuadër të bashkëpunimit me Republikën e Greqisë, janë planifikuar dy stacione të reja.

Nuredini gjithashtu tha se ishte në dijeni për rëndësinë e problemit fakti që Ministria e mjedisit jetësor ende nuk ka akredituar laborator për matjen e ndotjes së ajrit dhe njoftoi se tashmë është duke u punuar në akreditimin e laboratorit.

Ministria e mjedisit jetësor duhet të jetë ministria më e rëndësishme në qeverinë e Maqedonisë, ishte porosia e eko-aktivistëve për ministrin Nuredini. Nëse Maqedonia nuk e merr atë rol si shtet, nuk do të ketë ardhmëri, paralajmëruan ata.

“Ministria deri më tani ka luajtur rolin e një mbështetësi pa kurrizor të politikave dhe projekteve të dëmshme që vinin nga qendrat më të larta të pushtetit dhe zbatues i tyre”, theksoi Petar Boshevski nga organizata “Shpëtim për Vodnon”, duke kujtuar projektet e  dëmshme si “Qyteti i diellit” dhe trasenë e gazsjellësit përmes Vodnos, që e morën aminin pikërisht nga Ministria e mjedisit jetësor.

Shumë aktivistë e theksuan nevojën për mbrojtje dhe ruajtje të mirëfilltë të zonave natyrore, si detyrim që buron nga konventat ndërkombëtare, e të cilat Maqedonia i ka nënshkruar, duke përmendur shembuj negativë të shkatërrimit të bregut të liqenit të Ohrit dhe shpyllëzimet për të ndërtuar hidrocentrale të vogla në parqet nacionale Pelister, Mavrovë si dhe në Malin Sharr zona që duhet të mbrohen në periudhën në vijim.

“Pavarësisht që ka vonesë të papranueshme me shpalljen e Malit Sharr si zonë të mbrojtur, Maqedonia ka detyrim ta mbrojë atë tashmë për shkak të Konventës së Bernës sepse Sharri është zonë Emerald. Duke ndërtuar hidrocentrale të vogla dhe rrugë deri te ato hidrocentrale, të cilat më pas përdoren për shkatërrimin ne pyjeve, ne po e shkatërrojmë Malin e Sharrit nga brenda dhe po shkatërrojmë atë zonë para se t’ia dalim ta mbrojmë”, tha Ana Çoloviq Leshovska.

Duke fol për problemin e mos-ekzistimit të sistemi për menaxhim me mbeturinat në vend, ministri Nuredini theksoi se krijimi i një sistemi të tillë e mbi të gjitha përzgjedhja e mbeturinave është prioriteti absolut i Ministrisë së mjedisit jetësor.

“Ne kemi ekspertë të huaj që punojnë rreth kësaj çështjeje dhe po planifikojmë të bëjmë rrumbullakimin e tërë sistemit për menaxhim të mbeturinave ashtu që ai të bëhet ekonomi rrethore, në të cilën do të respektohet edhe aspekti i mbrojtjes së mjedisit, standardet botërore, si dhe të jetë një sistem ekonomikisht i qëndrueshëm në të cilin do  të krijohen vende të reja pune”, njoftoi Ministri i mjedisit jetësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button