SHQIPËRIA SI M’U DUK

Ishte një kohë kur mund të udhëtoje gjithandej botës, po jo edhe në Shqipëri. Veçmas nëse ishe shqiptar me pasaportë jugosllave. Në kësi rrethanash, mallin për Shqipërinë shqiptarët e këndejmë e kompensonin duke e parë atë nga larg, kur rastiste të shkonin në qytetet si Dibra, Ohri a Struga. Meqë asokohe ishte akt i dënueshëm edhe kthimi i antenave për të kapur sinjalet e televizionit shqiptar, njerëzit dëgjonin tinëzisht lajmet dhe shijonin këngët e bukura folklorike të Radio Kukësit, të cilat herët në mëngjes mbushnin me Shqipëri shtëpitë tona.

Për shqiptarët që nuk patën fatin të jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë, ashtu si qe vendosur më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria ishte një ëndërr, madje një ëndërr e ndaluar, të cilën mund ta shihje po jo dhe t’ua rrëfeje të tjerëve. Për dikë regjimi komunist jugosllav mund të ketë qenë më liberal se ai i disa vendeve të tjera të bllokut të kuq, po kjo nuk vlente për shqiptarët. Ne ishim në tokat tona, po jo sllavë, prandaj konsideroheshim si elementë turbullues që duhej shpërngulur e asimiluar nëpërmjet metodash të sofistikuara që shpiku mendja destructive e autorëve të elaborateve gjenocidiste, si: Garashanini, Pashiqi, Cvijiqi, Çubriloviqi, Andriqi dhe monstrat tjera prej akademikësh e nobelistësh. Për çudi, sa më shumë na e shanin Shqipërinë, sa më shumë përpiqeshin t’na e shlyejnë nga mendja, sa më shumë i ndrydhnin vullnetet shqiptare…, aq më e dashur na bëhej Ajo. Natyrisht, edhe unë e kam imagjinuar atë siç imagjinohet parajsa prej një besimtari eremit, gjer në kohën kur u hapën kufijtë dhe na u dha mundësia që ta shohim e shijojmë nga afër.

Ishte viti 1992 kur udhëtova për herë të parë andej kufirit kubar londinez. Isha me Babën tim të ndjerë, të cilit i shpërthyen lotët nga skenat që nuk donim t’i besojmë. Ai thoshte përherë se kamja e një shteti lexohet te dogana e kufirit dhe dukja e punonjësve të saj. E ne gjendjen e dhembshme e ndiem pikërisht te uniformat e doganierëve të demoralizuar shqiptarë, te mungesa e lexueshme e krenarisë së tyre, te flamuri i zverdhur e me shqiponjë gati të sosur përpara doganës me pamjen e një kasolleje të lënë pas dore, te fëmijët e partallosur me fytyra të përvuajtura pleqshë, që silleshin përreth autobuzit dhe lypnin çamçakizë, çokollata e gjëra të ngjashme, te të rinjtë flokëgjatë dhe njerëzit me shikime të humbura dhe shpresa të thyera… Tmerri shihej edhe në udhët e ngushta me plot gropa, në shtëpitë e vjetra dhe pallatet e ngrëna nga koha, në dyqanet e vockla prej teneqeje ku s’gjeje dot më shumë se ndonjë kanaçe koka-kole a ndonjë paket patatinash, në shkollat me fasada e oborre të katandisura, në uzinat dhe fabrikat e falimentuara, si gjiganti i Elbasanit…

Të këtillë e pashë Shqipërinë nga ana fizike në vitin 1992. Shqipërinë që u pagoi si asnjë vend tjetër komunist tagre të rënda kapërcyejve të shekujve e sistemeve. Megjithatë, dashurinë që kisha ndaj saj nuk e cënoi asgjë . Përkundrazi, vazhdova ta dua, më shumë se më parë, me një ndjesi dhembjeje që ka i biri për nënën e tij biologjike, të cilën e njeh me vonesë dhe me të cilën ka mbetur përjetësisht i pangirë. Vazhdova ta dua, veçmas pasi njoha bujarinë e njerëzve të thjeshtë, pritjen vëllazërore, kulturën e gjerë të intelektualëve që pata fatin t’i takoj, muzikalitetin e Shqipes që flisnin, besimin e patundur në vlerat e demokracisë…, që më bënë të besoj se, përkundër gjithë rrënimeve të pësuara, Shqipëria do të bëhet dhe do të ngrihet shpejt në këmbët e veta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button