Ligji për Prokurori, Zaevi pret grupet e punës t’i tregojnë për takim të liderëve

Sot, me fillim prej ora 16:00, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të realizohet takimi i grupeve të punës për tejkalimin e dallimeve për Ligjin e Prokurorisë Publike, respektivisht përcaktimin e fatit të Prokurorisë Speciale Publike (PSP), transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Zoran Zaev pret që grupet e punës t’i tregojnë se, a ka nevojë për takim të liderëve.

“Pres që grupet e punës të tregojnë se, a ka nevojë për takim të liderëve. Nëse ata thonë, unë jam i gatshëm. Qëllimi është që të gjendet zgjidhje për Ligjin për Prokurori Publike”, tha Zaevi.

I pyetur për Planin B, zaevi tha se nuk mendon në të, dhe se duhet t’i jepet mundësi ligjit, ngaqë ka kohë edhe shtatë ditë.

Finalizimi i procesit të negociatave, që zgjatën pothuajse gjysmë viti, vjen në periudhën pasi që kryeprokurorja e PSP-së, Katica Janeva dyshohet në rastin e Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit, “Reket”. Ajo dha dorëheqje pak orë para se të arrestohet i dyshuari i parë në “Reket”, Bojan Jovanovski i njohur me nofkën Boki 13.

Nga paraburgimi, Janeva ka dërguar letër deri te PSP-ja dhe PTHP-ja me çka ka kërkuar që lëndët nga materialet e përgjuara – “bombat”, të transferohen në PTHP, gjë për të cilën pritet të sillet sot vendim. Sipas prokurores Speciale, Fatime Fetai nuk është me rëndësi se kush do të përndjek, por se të jepet përgjegjësi për dëmet që janë bërë.

Lëndët e PSP-së dhe prokurorët me të cilët do të veprojë PSP-ja e ardhshme, janë dy çështjet për të cilat grupet e punës për Ligjin e Prokurorisë nuk kanë arritur deri sot të gjejnë kompromis. Kjo solli në lojë edhe Planin B, që siç sqaruan nga LSDM-ja nënkupton hartim të Marrëveshjes “Përzhino 3”.

Për shkak të përfshirjes së Janevës në “Reket”, Këshilli i Prokurorëve Publikë (KPP) nisi procedurë për shkarkim të saj, i cili dje mori dritë jeshile edhe nga Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime në Kuvendin e RMV-së. Pas Komisioni, shkarkimi duhet të miratohet edhe në seancë plenare me 2/3 e votave dhe me shumicë prej badenterit.

Përndryshe, javën e kaluar, në seancën e Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvend. gjatë leximit të dytë të Ligjit për Prokurori Publike, janë propozuar 51 amendamente, prej të cilave 3 janë tërhequr. Për 15 minuta janë pranuar 10 amendamente, të cilat kanë të bëjnë me çështje teknike.

Që nga propozimi i Ligjit nga kryeministri Zoran Zaev, opozita maqedonase ka kundërshtuar që në krye të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit dhe Korrupsionit të Lartë (tash PSP), të jetë e propozuara me Ligj, Villma Ruskovska.

Propozim-ligji parasheh:

  • PSP-ja të kalojë në PTHP për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit,
  • Do të marrë emrin Prokuroria për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë,
  • Do të ketë kompetenca në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut,
  • Do të ketë garanci që në mënyrë të mëvetësishme të përgjigjet dhe vendos për lëndët e PSP-së,
  • Do të udhëhiqet nga Villma Ruskovska,
  • Prokurorët aktual të PSP-së do të vazhdojnë të punojnë në PTHP për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë,
  • Mandati i tyre është deri më 15 shtator, por do të kenë mundësi për rizgjedhje,
  • Përbërjen e Prokurorisë së re do ta zgjedhë Këshilli i Prokurorëve,
  • Të gjithë rastet e PSP-së ajo do t’i vazhdojë dhe procesuojë para gjykatave kompetente,
  • Nga PSP-ja, në PTHP do të kalojë edhe Arkivi, mjetet dhe aparatura,
  • Lartësia e mjeteve për funksionim të PTHP-së për ndjekjen e krimit dhe korrupsionit të lartë të caktohet me propozim-buxhet dhe plan financiar të shefit të kësaj Prokurorie, të cilat dorëzohen te prokurori publik dhe te Ministria e Financave për aprovim. Qeveria dhe Kuvendi nuk mund ta ndryshojnë planin financiar dhe buxhetin e kësaj prokurorie.
  • Parashihet mbrojtje e personalitetit të prokurorëve të kësaj prokurorie dhe nuk mund të kryejnë funksion prokurorial në ndonjë institucion tjetër.
  • Shefi i kësaj prokurorie do të mund të shkarkohet me 2/3 e votave të Këshillit të Prokurorëve.
  • Ajo nuk mund të ndjekë krim pa aprovim nga prokurori publik dhe
  • Ajo nuk ka të drejtë që ta urdhërojë ndonjë institucion tjetër të kryejë ndjekje të krimit për të cilin është përgjegjëse vetë ajo.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button