Serbia i akuzon forcat kroate për “torturim” të migrantëve

Zyrtarët në Serbi kanë akuzuar policinë kufitare në Kroaci për torturim të një adoleshenti afgan dhe për injorim të të drejtave të 15 migrantëve për të kërkuar azil brenda Bashkimit Evropian.

Ky pretendim është hedhur poshtë menjëherë nga Zagrebi, duke e konsideruar atë si përpjekje të Beogradit për të larguar vëmendjen e kritikave ndaj policisë serbe për trajtimin që u bën migrantëve, bazuar në një raport të agjencisë së lajmeve, Reuters.

Të dyja shtetet gjenden në rrugën që përshkojnë qindra mijëra migrantë, të cilët tentojnë të ikin nga zonat e konflitit, dhe shpresojnë që përmes këtij rrugëtimi të arrijnë në ndonjë prej vendeve të BE-së.

Agjencia serbe për refugjatë ka akuzuar zyrtarë kroatë për “torturë fizike dhe psikologjike”, që ka përfshirë rrahje dhe dridhje elektrike, të cilat kanë lënë 16-vjeçarin afgan të identifikuar si Sharukhan, me eshtra të thyera dhe gjakderdhje të brendshme.

Agjencia e lajmeve, Reuters ka thënë se ka biseduar me djalin e ri në një kamp refugjatësh dhe një grup personash, të cilët kanë thënë se plagët u janë shkaktuar nga autoritetet kroate.

Kroacia është kritikuar edhe më herët për trajtim ndaj migrantëve, duke përfshirë Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, transmeton REL.

“Ne konsiderojmë se kjo është një tjetër seri e pretendimeve të pabaza kundër policisë kroate për shkak të gatishmërisë së tyre për të mbrojtur kufijtë shtetërorë dhe ata të Bashkimit Evropian”, ka thënë ministria e Brendshme kroate përmes një deklarate.

“Pretendimet për torturë të migrantëve janë plotësisht të pabesueshme dhe nuk kanë bazë”.

Valët e refugjatëve dhe migrantëve tjerë janë zvogëluar prej përpjekjeve të shtuara evropiane më 2016 për t’i ndalur ato.

Megjithatë ende mijëra persona udhëtojnë përmes rrugëve të Ballkanit, me shpresë që do të arrijnë në perëndim.

Grupet për të drejta të refugjatëve kanë thënë se dhuna ndaj refugjatëve në këtë zonë është problem i zakonshëm tashmë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button