Svoboda: Serbia të njohë Kosovën

Raportuesi Special i Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Hannes Swoboda, thotë se Serbia do të detyrohet ta njoh Kosovën, para se t`i bashkohet Bashkimit Evropian.
 

“Njohja e Kosovës duhet të ndodhë në fund. Ky nuk është kusht në procesin e anëtarësimit në BE. Por, para se Serbia të bëhet anëtare në BE, natyrisht që do të detyrohet ta njoh Kosovën. Në këtë moment është me rëndësi të vazhdohet dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës. Ndërsa, për Serbinë do të ishte mirë t`i pranojë faktet” ka thënë Swoboda për mediat britanike.
 

Swoboda tha se Serbia në pranverën e vitit të ardhshëm mund ta marrë datën për fillimin e negociatave me BE-në, por para kësaj Serbia duhet të mos marrë më vendime radikale. Raportuesi Special i Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor ka thënë se deri më tani qeveria e re nuk është aspak inkurajuese për t`iu bashkuar BE-së.
 

Por pavarësisht presioneve të ndërkombëtareve, qëndrimi i Beogradit zyrtar kur është fjala për Kosovën nuk ndryshon. Dy ditë më parë kryeministri serb Ivica Dacic tha se Beogradi është i gatshëm për dialog politik dhe teknik me Prishtinën, por nuk mund të pranojë kushtet që nënkuptojnë njohje të pavarësisë së Kosovës.
 

Në raportin e Komisionit Evropian, të publikuar të enjten, është theksuar nevoja që Serbia të respektojë integritetin territorial të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Back to top button