KATOBLEPASËT E POLITIKËS

Nuk e kam çuar as nëpër mend që të bëhem anëtar i ndonjë partie. Kam refuzuar edhe oferta shumë joshëse për ata që duan të bëjnë karrierë politike. Besoj se politika nuk është sfera ime. Megjithatë  nuk e demonizoj politikën dhe as ata që merren me politikë, sepse nuk ka popull të lirë pa politikë; sepse politika është arritje e paqes ndërmjet njeriut dhe shoqërisë. Tjetër gjë është humbja e politikës, tjetër gjë është parapolitika, efektet e së cilës i shohim çdo ditë.

E kam ndjerë se e kam të afërt idenë e antipolitikës, ashtu sikurse e përkufizon Gjergj Konradi. Sipas tij, antipolitika nuk është apolitikë, pra nuk është gjendje pasive kur mendon se nuk duhet të mendosh, ngase “ata lart” mendojnë për fatin tënd. Antipolitika është veprim individual kundër një sistemi të gënjeshtërt shtetëror. Antipolitika është përgjegjësi personale dhe ecje në drejtim të kundërt me modelin që e adhuron turma.

Antipolitikanit nuk i duhen bashkëmendimtarët. Ai është ujk i vetmuar. Ai nuk mendon sipas programeve apo statuseve partiake. Antipolitikani beson se individi mund të jetë i vlefshëm për shoqërinë pa qenë anëtar partie. Ai mund të jetë i vlefshëm për politikën nëse mbetet i pandikuar nga interesat meskine dhe rebelohet individualisht kundër një sistemi të gënjeshtërt politik. Ai mund të jetë i vlefshëm pa dredhuar dhe pa e humbur paqen me mendimet e tij.

Për njeriun që punon në vetmi është torturuese puna në grupe dhe nëpër ambiente ku ka interesa, konflikte dhe meskinitete të mëdha. Ai nuk e duron “agresionin e mentalitetit poltronist”, që është dominues në partitë tona…

Gjatë këtyre viteve, sa jam i vetëdijshëm për proceset politike, kam parë vetëm atrofizim të partive politike, sepse janë parti pa ideologji. Ato i ngjajnë kafshës mitike të quajtur Katoblepas.

Miti thotë se kjo kafshë mitologjike i vriste njerëzit me një shikim. Një version tjetër i mitit na thotë se njerëzit vdisnin jo nga shikimi, por për shkak të helmit që lëshonte nga goja kjo kafshë mitologjike, e cila ushqehej vetëm me bimë helmuese. E kur nuk kishte më se çfarë të hante, atëherë fillonte ta hante vetveten nga bishti derisa shuhej.

Partitë tona i ngjajnë kësaj krijese mitologjike, sepse ushqehen me bimë helmuese dhe pastaj hanë vetveten, derisa shuhen një ditë. Shuhen partitë së bashku me karrierat politike të liderëve të tyre, që nuk kanë sens për ndryshime dhe bëhen cerberë të pushtetit personal. Shuhen sepse janë parti liderësh dhe jo parti ideologjish. Ashtu edhe i quajmë: partia e filanit apo partia e fistekut. Partitë e këtilla e hanë vetveten nga bishti sikurse Katoblepasi, por pasi të ketë helmuar shumë njerëz me helmin që nxjerrin nga goja.

Të bësh karrierë politike në këto parti do të thotë të pranosh që t’i shërbesh jo një qëllimi, projekti apo një vizioni, por një udhëheqësi apo klani. Ky veprim është pranim i vetëdijshëm i robërisë. Ky sistem është më i pëlqyer për ata që jetojnë vetëm duke u përshtatur, për ata që kanë frikë nga liria. Se liria është e zorshme, ngase është gjendje aktive dhe kërkon përgjegjësi personale, kurse robëria është e lehtë, sepse përkufizohet si gjendje pasive, si ikje nga përgjegjësia dhe si nënshtrim ndaj një autoriteti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button