Daçiç: Tetë për qind e anëtarëve të OKB tërhoqën njohjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç ka folur rreth planeve të Serbisë për tërheqjen e njohjeve për Kosovën, në kohën kur Ministria e Jashtme e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Serbisë dhe kabinetin e ministrit të Jashtëm serb për blerjen e tërheqjes së njohjeve të Kosovës.

Daçiq gjatë një fjalimi sot në Parlamentin e Serbisë tha se 15 vende që kanë tërhequr vendimin për njohjen e Kosovës, përbëjnë tetë për qind të votës totale në OKB, transmeton Kosovapress.

Sipas tij, do të ketë më shumë vende për të tërhequr vendimin.

“Qëllimi ynë është të krijojmë një pozitë sa më të mirë në bisedime mbi të ardhmen e Kosovës dhe, deri në fund të vitit, të ulim numrin e vendeve që e kanë njohur Kosovën nën gjysmën e anëtarëve të KB”, tha ai.

Daçiç gjithashtu tha se ‘të gjithë duhet të binden se Kosova nuk ka shanse të anëtarësohet në Interpol’.

“Mos u shqetëso, këtë u thashë atyre me kohë. Ata (Kosova) duhet të heqin tarifat, dhe të krijojnë asociacionin në mënyrë që të vazhdojë dialogu,” vuri në dukje ai.

Daçiç kujtoi se në një takim në Helsinki, ai pyeti përfaqësuesit e BE-së nëse ata do të pushonin së lobuari për Kosovën, por që sipas tij, ‘të gjithë heshtën’.

Së fundmi, Ministria e Jashtme e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Serbisë dhe kabinetin e ministrit të Jashtëm serb për blerjen e tërheqjes së njohjeve të Kosovës.

I përfshirë në aferën e ryshfetit për tërheqjen e njohjeve, përmendet këshilltari i ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vladimir Cizelj, i cili është i njohur për të kaluarën e tij kriminale dhe lidhjet me rrjetet e krimit të organizuara jashtë Evropës.

Ndërkohë, në ueb faqen e Ministrisë së Jashtme të Kosovës figurojnë 116 shtete të cilat e kanë njohur Kosovën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button