Prokuroria nisi verifikimet për ish – ministrin Niko Peleshi

Skandali i denoncuar në televizonin Klan se Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kishin lejuar futjen në Shqipëri dhe përdorimin në bujqësi të një pesticidi të rrezikshëm e të ndaluar, ka vënë në lëvizje Prokurorinë, e cila ka vendosur të hetojë veprimet e ish – ministrit të Bujqësisë, Niko Peleshi.

Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Prokurorisë së Tiranës të verifikojë një urdhër të lëshuar nga ish – ministri për zhbllokimin e 4.600 litrave të insekticidit Silikon Mix, një solucion që sipas legjislacionit shqiptar nuk duhej lejuar të hynte në vendin tonë.

Prokuroria thotë se nga të dhënat e publikuara në media, ka dyshime se ish – ministri Peleshi ka shpërdoruar detyrën.

“Bashkëngjitur po ju dërgojmë për vlerësim sipas kompetencës të dhëna të printuara nga mediat audiovizive ku përfshihen dyshime në lidhje me shpërndorimin e detyrës prej shtetasit Niko Peleshi. Konkretisht, nga publikimet e fundit rezulton se ish – ministri i Bujqësisë ka lëshuar në kundërshtim me ligjin udhërin për zhbllokimin e insekticidit Silicon Mix, i cili përdoret në kultivimin e frutave dhe perimeve, me pasoja të dëmshme për shëndetin”.

Skandali doli në dritë nga një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Verifikimet e këtij institucioni zbuluan se 4.600 litra Silikon Mix, u bllokuan nga zyra e AKU në Dhjetor të vitit 2017 dhe u zhbllokuan 8 muaj më vonë nga një vendim i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, bazuar në një shkresë të Ministrisë së Bujqësisë, pasi laboratori i Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Fushë – Krujë, në mënyrë të dyshimtë nuk kishte pranuar të kryente analizat.

Vendimi i zhbllokimit i komunikohet koordinatores Anila Kapedani në Durrës, nga asistentja e drejtorit të Përgjithshëm të AKU-së në atë kohë, Agim Ismaili.

“Me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm, bashkëlidhur gjeni shkresën e dërguar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e legjislacionit në fuqi për plehun EC Fertilizer Silicon Mix. Të merren masat nga ana juaj për zhbllokimin e produktit referuar shkresës”.

Ministria e Bujqësisë, thuhet në raport, nuk ka ushtruar kompetencat e saj në përputhje të plotë me ligjin, duke mos vënë para përgjegjësisë dy institucionet që ka në varësi, AKU – në dhe Laboratorin e Fushë-Krujës, në mënyrë që të kryenin analiza laboratorike të thelluara, për të mos lejuar që ky produkt i rrezikshëm të përdorej tek prodhimet bujqësore që konsumojnë shqiptarët.

Verifikimet pritet të nisin edhe për zyrtarë e ish – zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Bujqësisë dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit që dyshohet se janë implikuar në këtë skandal që cënon drejtpërdrejtë sigurinë ushqimore dhe dëmton qytetarët që konsumojnë prodhimet bujqësore ku është përdorur pesticidi i dëmshëm.

Raporti i KLSH ka zbuluar se në vend janë përdorur edhe të tjera solucione e plehra kimike, të rrezikshme e të ndaluara, që kanë pasur si  vend origjine Kinën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button