Masakrimi i studentes, pista të reja hetimi

Policia zgjeron pistat e hetimit në lidhje me vrasjen e vajzës 18-vjecare, Ajshe Vata. Fillimisht hetimet ishin përqëndruar në pistën e vrasjes të shkaktuar prej pasionit.

Ajo që e forcon këtë pistë hetimi është fakti që ajo ka qënë shtatzënë 11 javëshe dhe nga kjo mund të këtë patur një konflikt me babain e fëmijës, e në këto kushte ai mund ta këtë vrarë. Por ajo që mund të zgjidhë këtë dilemë është ekspertiza e ADN-së së embrionit të fëmijës, pasi ndoshta kjo ekspertizë mund ta lidhë me autorin e krimit.

Një tjetër pistë të cilën policia po e ndjek është edhe krimi brenda familjes, i cili mund të ketë ardhur si pasojë e lidhjes së fshehtë dhe shtatzanisë së vajzës, por gjatë marrjes në pyetje të familjarëve dëshmitë e tyre kanë korresponduar, gjë që e rrëzon një dyshim të tillë. Gjithashtu hetuesit janë përqëndruar edhe në hetimin e një piste të tretë, e cila ka të bëje me një hakmarrje për moral. Kjo për faktin se Ajshja ka mbetur shtatzënë gjatë kohës së agjërimit dhe për më tepër ende e pamartuar gjë kjo që mund të ketë shkaktuar zemërim tek personat që e njihnin.

Nga ekspertizat që i janë bërë trupit pa kokë të 18-vjeçares shihet se asaj nuk i është dëmtuar aspak trupi, por vetëm i është prerë koka. Kjo ka bërë që policia të ngrejë dyshimet që mund të ketë qënë një dorë profesioniste dhe pse jo një kasap. Ndërkohë bëhet me dije së policia e Durrësit deri më tani ka arrestuar 40 persona që mund të kenë dijeni për vrasjen makabre. Ajshe Vata nuk përdorte telefon, por ishte aktive në rrjetin social facebook.

Për këtë policia ka shoqëruar shokët e saj në facebook, duke i pyetur mbi çdo gjë që mund të dinin për vajzën. Ajshe Vata u gjet e vdekur ditën e enjte, vetëm pak metra larg shtëpisë së saj e vdekur pa kokë. Dy ditë pas krimit makabër ende nuk i është bërë një identifikim i vrasësit, por sipas burimeve nga policia bregdetare po hetohet intensivisht për zbulimin e autorit të krimit. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button