Kryeministri britanik kërkoi zgjedhje të reja

Kryeministri britanik Boris Johnson thotë se nuk ka alternativë tjetër, përveçse të zhvillojë zgjedhje të reja pasi një grup ligjvënësish ia morën situatën nga duart zotit Johnson lidhur me Brexitin. Kryeministri u vu përballë këtij skenari, pasi një grup ligjvënësish sfiduan qëndrimin e tij për të përmbylluar daljen e Britanisë nga BE-ja më 31 tetor, me ose pa marrëveshje. Ligjvënësit e opozitës pritet të paraqesin sot një mocion për të shtyrë datën e daljes nga BE-ja në mënyrë që të kenë më shumë kohë për të arritur një marrëveshje me Bashkimin mbi termat e shkëputjes. Kryeministri Johnson tha se zgjedhjet e reja ishin e vetmja rrugëdalje. njofton Zëri i Amerikës.

“Populli i këtij vendi do të duhet të zgjedhë, zoti kryetar. Udhëheqësi i opozitës është lutur për zgjedhje prej dy vjetësh. Turmat e përkrahësve të tij mblidhen para parlamentit duke bërë thirrje për zgjedhje. Unë e nuk dua zhvillimin e zgjedheve, por nëse anëtarët e parlamentit votojnë për të ndalur negociatat dhe për të na imponuar një vonesë tjetër të pakuptimtë për Brexitin, atëherë e vetmja mënyrë për ta zgjidhur këtë situatë janë zgjedhjet. Ne po paraqesim një mocion, zoti Kryetar,” tha kryeministri.

Me 328 pro dhe 301 kundër në Dhomën e Komuneve, ligjvënësit arritën të marrin në dorë situatën lidhur me Brexitin. Ky rezultat nënkupton se ligjvënësit mund të paraqesin një mocion të katërt për të vonuar përsëri daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian dhe të bllokojnë planin e zotit Johnson për dalje pa marrëveshje.

Ligjvënësit që nuk iu bindën qëndrimit të kryeministrit përfshinin në radhët e tyre anëtarë të opozitës si dhe të vetë Partisë Konservatore të zotit Johnson, përfshirë edhe ligjvënësin Philip Lee, i cili në mënyrë dramatike u ngrit gjatë seancës dhe shkoi të ulej me liberal demokratët e opozitës.

Edhe nëse ligjvënësit arrijnë të bllokojnë planet e kryeministrit, ka plot peripeci të tjera deri në përmbylljen e Brexitit. Zhvillimi i zgjedhjeve të reja brenda këtij viti është skenari më i mundshëm i manovrave parlamentare që zhvillohen në bazë të rregulloreve të vjetra të traditës politike britanike. Ka gjasa që rezultantja të jetë një përçarje brenda Partisë Konservatore dhe formimi i një partie të re.

Ligjvënës pro-Bashkimit Evropian dhe të tjerë që i tremben kaosit ekonomik që mund të shkaktojë një Brexit pa marrëveshje paraprake, thonë se zoti Johnson mund t’i shtyjë zgjedhjet pas 31 tetorit kur është planifikuar afati për shkëputje. Në këtë mënyrë ai bllokon planet e ligjvënësve që duan t’i kërkojnë Bashkimit Evropian shtyrje të afatit të 31 tetorit për shkëputjen e Britanisë nga BE-ja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button