LDK-ja e akuzoi PDK-në se po shfrytëzon pasuritë shtetërore

Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për keqpërdorim të pasurive shtetërore për aktivitete si kryetar i Partisë Demokratike.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, tha se pas shpërndarjes së legjislaturës së gjashtë të Kuvendit, Veseli nuk ka asnjë funksion shtetëror, raporton KTV.

Sipas Mustafës, pavarësisht se kreu i PDK-së ka vetëm funksion “mirëmbajtës të Kuvendit, deri në zgjedhjen e përbërjes së re”, ai po i keqpërdorë pasuritë dhe institucionet për fushatë, duke përmendur disa raste.

Ndërkohë, pasditen e së hënës i pari i PDK-së, Kadri Veseli, dhe homologu i tij nga Lëvizja për Bashkim, Valon Murati, kanë nënshkruar marrëveshje parazgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Megjithëse afati për regjistrimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ka përfunduar të premten, dy partitë do të regjistrohen në një listë të përbashkët.

Aktivitetet në para-fushatën zgjedhore i ka vazhduar edhe kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike, Vjosa Osmani, e cila në ditën e parë të vitit të ri shkollor ka vizituar shtëpinë-shkollë të familjes Hertica në Prishtinë.

Ndërkohë, i nominuari i koalicionit AAK-PSD, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në dy ceremoni, në dy komuna që i udhëheq partia e tij – në përurimin e një rruge në Gjakovë dhe një shkolle në Suharekë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button