Edhe Alternativa dhe Lëvizja BESA shprehën mbështetje për grevën në arsim

Partitë politike Alternativa dhe Lëvizja BESA kanë uruar nxënësit dhe shprehur mbështetje për grevën paralajmërueses që është duke u zhvilluar sot në shkollat e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

Alternativa, pasi uroi nxënësit, shprehu mbështetje për grevën dhe premtoi se do të jetë shtysë e kërkesave të punonjësve arsimorë.

ALTERNATIVA deklaron se e mbështet grevën dhe kërkesat e punonjësve të arsimit e shkencës dhe, pavarësisht pozicionimit tonë politik, konsideron se një shoqëri dhe një shtet që nuk kujdeset për arsimtarët, ajo dëshmon se nuk ka ndjeshmëri për të ardhmen e vet. Ne besojmë thellë se arsimi është strumbullar i zhvillimit të një kombi dhe një shteti. Vërtet është për t’u përshëndetur vendimi i qeverisë për rritjen e rrogave prej 5%, por ky është një avancim simbolik në krahasim me detyrimet që ne duhet t’i kemi ndaj arsimtarëve”, thanë nga Alternativa.

Nga Lëvizja BESA deklaruan se, pagat e të punësuarve në arsim janë nën dinjitetin e jetës profesionale, institucionet shkojnë drejt rrënimit, tekste shkollore janë me përmbajtje fyese për shqiptarët dhe se, problem shqetësues paraqesin objektet arsimore, dhe për këtë, ata shprehën mbështetje për grevën paralajmëruese të mësimdhënësve.

Lëvizja BESA e mbështet grevën njëditore të mësimdhësve dhe kërkesat e tyre për një pozicion më dinjitoz në shoqëri. E drejta për grevë është e drejtë elementare në çdo vend të botës dhe është e garantuar me ligj. Mësimdhënësit e Maqedonisë së Veriut me vite kanë qenë viktimë e keqpërdorimeve dhe lojërave në mes pushtetit dhe SASHK-ut, por kjo nuk duhet të jetë demotivuese, sepse greva nuk bëhet për SASHK-un, por për mësimdhënësit. Të ardhurat mesatare personale në Maqedoninë e Veriut janë 26 000 den, a për mësimdhënësit 22 000 den. Për momentin mësimdhënësit, as nuk mund të ëndërrojnë për një pagë të barabartë me mesataren e vendit. Në qoftë se qeveria don ta kthej dinjitetin e humbur të mësimdhënësve, atëherë duhet që ta barazoj rrogën minimale me sektorët tjerë, sepse mësimdhënësit janë hallka më e rëndësishme të cilët me kontributin dhe mundin e tyre e ndërtojnë të ardhmen e shtetit dhe të shoqërisë. Kryeministri dhe ministri shumë mirë e dijnë se me 360 euro nuk ruhet dinjiteti i familjes dhe nderi i mësimdhënësit”, thanë nga Lëvizja BESA.

Ditë më parë, mbështetje për grevën ka shprehur edhe Aleanca për Shqiptarët.

Mbështetjet për grevë vijnë në kuadër të grevës paralajmëruese që është iniciuar nga Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK). Vendimin për grevë paralajmëruese SASHK-u e ka sjellë për shkak se, ata kërkojnë rritje të pagave deri në 25 për qind, e kurse MASH-i ka paralajmëruar rritje të pagës për vetëm 5 për qind. Grevën e mbështet Konfederata e Sindikatave të Lira (KSL).

LEXO: Toçi: Aleanca për Shqiptarët mbështet grevën e arsimtarëve
LEXO: Sindikata: Të hënën grevë, pasi nuk ka marrëveshje me MASH-in
LEXO: Sindikata vendosi: Grevë ditën e parë të shkollës në shtator
LEXO: RMV, sot do të dihet nëse do të ketë grevë të përgjithshme të Sindikatës në arsim
LEXO: Protesta e SASHK-ut: Do të radikalizojmë protestat tona, deri në realizimin e kërkesave

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button