Gabimet strategjike që popullit shqiptar i kanë sjellë fatkeqësi dhe prapavajtje gjatë historisë

  1. Organizimi i kryengritjeve çlirimtare kundër pushtuesve dhe sunduesve të huaj, gati përherë në baza vullnetare, jo përmes mobilizimit të përgjithshëm në nivel kombëtar dhe përmes krijimit të formacioneve të rregullta ushtarake nën një komandë supreme, siç kanë vepruar popujt dhe shtetet tjera fqinje të shqiptarëve. Kjo dobësi i ka ndjekur shqiptarët gati në të gjitha periudhat e kryengritjeve çlirimtare, si kundër sundimit osman, gjatë rezistencës ndaj pushtimit nazifashist (sidomos forcat nacionaliste, jo edhe ato partizane të koordinuara me aleatët e tyre), si dhe në luftat e fundit, në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë të Preshevës, nga të cilat mezi mbijetoi vetëm FSK si formacion i rregullt dhe me armë e uniformë, kryesisht me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, si formacion më tepër me karakter simbolik dhe ceremonial, jo edhe si ushtri e rregullt, e kalitur dhe dalë nga një luftë çlirimtare.
  2. Trajtimi i parcializur i çështjes së pazgjidhur kombëtare, pas pavarësimit të Shtetit Shqiptar më 1912, ideologjizimi i lëvizjes kombëtare për çlirimin e territoreve të mbetura në sundime të huaja dhe veprimi i ndarë për të njëjtat çështje, përmes organizatave dhe grupeve të pakoordinuara, shpeshherë të konfrontuara më tepër mes vete se sa me kundërshtarët, armikun e tyre të vërtetë, në përpjekjet për çlirimin e Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare të mbetura nën shtetet fqinje.
  3. Prirja për bajraktarizëm dhe përçarjet mbi baza ideologjike, fetare, krahinore dhe rajonale, madje edhe mes klaneve politike e partiake, pa strategji, pa përgjegjësi dhe ndjenjë të llogaridhënies ndaj dikuj, para shtetit, kombit, apo ndonjë organi përkatës, siç veprojnë të gjitha lëvizjet çlirimtare në botë.
  4. Krijimi i autoriteteve të rrejshme në vend të autoriteteve të dëshmuara kombëtare, morale dhe profesionale; krijimi i autoriteteve të dyshimta në vend të personaliteteve me koncept, strategji dhe prirje shtetformuese; krijimi i autoriteteve të ngritura dhe afirmuara përmes propagandës dhe me ndikimin e shërbimeve të huaja sekrete, me qëllim të mbajtjes nën kontroll të vazhdueshëm të strukturave politike të lëvizjes kombëtare të shqiptarëve, por edhe të organeve drejtuese të shtetit, me këtë edhe vendosjen e kontrollit nga të huajit mbi zhvillimin dhe përparimin e popullit shqiptar, mbi fatin dhe të ardhmen e tij.
  5. Mungesa e seleksionimit të kuadrit dhe kontrolli mbi organet drejtuese të subjekteve politike dhe organeve të pushtetit, që shpeshherë ka rezultuar me infiltrimin e agjentëve të huaj në këto struktura, duke i mbajtur të mpira dhe dezorganizuara këto struktura deri në nivel të vetëshkatërrimit nga brenda.
  6. Kujtesa e fjetur historike, ndjenja e vetëmashtrimit dhe lakmia për pushtet e pasuri, që vazhdimisht e kanë topitur çdo lëvizje përparimtare dhe progresive në shoqërinë shqiptare.
  7. Ndjenja e hakmarrjes dhe mohimi i të gjitha vlerave dhe të arriturave nga të tjerët, në periudhat e mëhershme, duke gjetur arsyen më të vogël për t’i shpallur tradhtarë gati të gjitha figurat e lëvizjeve dhe pushteteve të mëparshme, me qëllim të lartësimit të figurave të reja dhe të formacioneve të reja politike, me të cilat në çdo periudhë rifillon historia nga e para, duke mohuar gjithçka nga e kaluara, edhe kur rezultatet janë të dukshme, kolosale dhe të dobishme, nga duhet të vazhdohet më tej për arritjen e sukseseve të tjera në të ardhmen.
  8. Ndjenja e pritjes nga të huajit që t’i zgjidhin problemet edhe brenda shoqërisë shqiptare, shpeshherë duke krijuar aleanca me shtete të huaja në periudha të caktuara, si lidhja me Italinë gjatë periudhës së fashizmit, me Rusinë gjatë periudhës së komunizmit, me Turqinë dhe Iranin gjatë periudhës së demokracisë etj., pa mbajtur llogari se në cilën kohë, me cilët aleatë dhe për cilat fusha duhet të krijohen lidhje miqësie dhe bashkëpunimi, për realizimin e interesave strategjike kombëtare.
  9. Mungesa e përgjegjësisë për korrigjimin e gabimeve nga e kaluara, kur përherë elitat intelektuale të shqiptarëve janë përjashtuar dhe mohuar, janë dëbuar jashtë vendit nga regjimet e kohës, ndërsa pas vdekjes së tyre janë nderuar dhe lartësuar, duke vënë kontributin e tyre me patëdrejtë në shërbim të mediokriteteve intelektuale, të propagandës së pushtetit dhe klasave të reja politike në pushtetet e ardhshme. Edhe aktualisht pjesa më e madhe e trurit shqiptar jeton dhe vepron jashtë atdheut, si dikur nën sundimin osman, nën regjimin fashist, regjimin komunist dhe regjimet e priudhës së tranzicionit demokratik, në tri dekadat e fundit.
  10. Respektimi i vlerave të huaja si vlera progresive dhe të dobishme, përkundër vlerësimit, avancimit, forcimit dhe afirmimit të vlerave kombëtare, si e kaluara e lavdishme, personalitetet e shquara, gjuha, kultura, traditat fetare, fryma liridashëse dhe humane, etj., pa pasur njohuri të mjaftueshme se këto vlera të popullit tonë më tepër i kanë respektuar të huajit dhe u kanë shërbyer atyre për emancipim dhe zhvillim, se sa vetë neve.

Nga këto shkaqe nuk duhet të habitemi pse shqiptarët kanë mundur të qeverisin me shumë sukses, perandori të mëdha dhe shtete të tjera të fuqishme, jo edhe vendin e tyre.

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button