SOCIOLOGJI E SHËNDETIT: DOKTORI

“Shqiptari e do më tepër rrenën shpresëdhënëse se sa ballafaqimin me të vërtetën e patundur.”

mjek shkupjan

Nganjëherë temat e shkrimeve lindin edhe nga përditshmëria jonë, nga bisedat spontane me njerëzit që na rrethojnë. Një nxënëse e mjekësisë, praktikante në poliklinikën e kryeqytetit, e stresuar rrëfen një ngjarje që ngjalli dilema tek ne: Hyri mjeku specialist në dhomën e pacientit,  i shoqëruar nga ne, dhe pa një pa dy, para nesh, ia kumtoi diagnozën të sëmurës në shtrat, pa i bërë pët syri: “Kemi diagnostifikuar kancer.” Vajza ishte ndjerë shumë keq, ndoshta më keq sa pacientja që rrinte shtrirë të cilës i ishte shkelur privatësia sepse në prezencë të të tjerëve i bëhej e ditur një e vërtetë e hidhur që së pari duhej ta dinte vetëm ajo.  Mëgjithatë, zonja nga dhoma IX ishte treguar shumë e fortë, ishte mbajtur. Në dukje nuk kishte treguar kurrfarë shenje të tronditjes. Në fakt, një Zot e di se çka ishte pështjelluar në brendësinë e qenies së saj. Doktori ndoshta do të na jepte 101 arsyetim, me të cilat do ta arsyetonte veprimin e vet, por ama  pyetjet që natyrshëm shtrohen lidhur me këtë subjekt kritik dhe shumë të ndjeshëm janë këto: A e kishte respektuar mjeku deontologjinë, etikën profesionale mjekësore meqë shpaloste diçka që duhej të ishte diskrete? A duhej të ndiqte një metodë më të butë, më shpresëdhënëse të komunikimit me të sëmurin, plus në një kontekst tjetër? A nuk është kjo mbytje e pacientit para kohe?

Në Amerikën e Veriut dhe në Europën Veriore qëndrimet e mjekëve lidhur me pacientët me kancer lidhur me diagnozat e tyre kanë ndryshuar në 60 vjetët e fundit. Para vitit 1960 shumica e mjekëve zakonisht nuk u kanë treguar pacientëve të vet për diagnozën e rëndë. Por në njëzet vitet e fundit, si rrjedhim i respektit në rritje për autonominë e pacientit, i “ndryshimit misterioz”, shumica e mjekëve në dy gjeografitë e zëna ngoje i informojnë pacientët lidhur me sëmundjen e tyre të vërtetë, duke ia treguar pacientit të vërtetën e plotë  lidhur me prognozën e sëmundjes së tyre. Pra qasja është ç’ka në incizime e në letër, troç, në sy pacientit, pa hezitime, pa kalkulime. Në këtë drejtim duhet përmendur edhe konceptin e “pranimit të informuar” për terapinë që ligjërisht  paraqet një vegël të menaxhimit të rrezikut që funksionon si formë e shpëtimit nga përgjegjësia. (Lantos, 1993)

Studimet në Europën Lindore dhe në Japoni kanë treguar se mjekët nga këto pjesë të botës nuk i informojnë pacientët lidhur me diagnozën dhe prognozën e kancerit. Sipas japonezëve Okamura & Sasako (1998) mjeku patjetër duhet ta ketë parasysh faktin se mund të gjenerojë si shpresë ashtu edhe shqetësim përmes shprehjes verbale që qëndrimeve të veta, andaj duhet të mbajë disa intervista me pacientët që të diskutojë diagnozën hap pas hapi. Ndërkohë bashkëpunimi mes mjekëve dhe motrave medicinale është i rëndësishëm në këtë drejtim. Ndonëse parim bazik është që diagnoza të diskutohet së pari me pacientin, me rëndësi është që për gjendjen e pacientit të informohet edhe familja. Në botën islame, parim bazik është se është leja që t’i thuhet e vërteta pacientit, duke ia kujtuar edhe mundësinë se mund të shërohet. Pra termi kyç në këtë botëkuptim është shpresa apo shpresëdhënia.

Dhe pikëpamja jonë vendore, shqiptare për këtë problematikë. Sa e bukur ka qenë tradita e vizitës së të sëmurit ndër ne: “S’paske gjë mor jahu!”, “O po ti qenke shëruar mor!”, “Hajt se ishalla shpejt së bashku do dalim te dardha e madhe, te kroi i katundit”, “Paske ndryshuar shumë nga vizita e kaluar, shumë më mirë të shoh!” Qasje shumë folkloriste, laike – do kishte thënë dikush. E vërtetë, ama në të ka shumë vlera morale, humanizëm, optimizëm.

Nga e zbërthyera më sipër konstatojmë se qasjet janë të ndryshme lidhur me kulturën e komunikimit mes “shëruesit” dhe të sëmurit, varësisht nga konteksti sociologjik, nga mendësia mbizotëruese, niveli arsimor i individit, psikologjia e tij etj. Si përfundim, mendojmë se gjithnjë duhet pasur parasysh ndjenjën e mëshirës, butësisë dhe empatisë edhe në këtë çështje, andaj duhet gjetur momentin kur pacienti mund të mësojë se për çka bëhet fjalë, gjithnjë duke konsideruar edhe karakterin dhe psikologjinë e pacientit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button