SASHK-u i vendosur për grevën e nesërme, ministri Ademi e sheh “të panevojshme” (VIDEO)

Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) është e vendosur për grevën paralajmëruese që do të mbahet nesër, më 2 shtator 2019, ndërkaq ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi të njëjtën edhe sot e vlerësoi si “të panevojshme”, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i SASHK-ut, Jakim Nedelkov sot ka njoftuar se nxënësit nesër do të qëndrojnë në shtëpi, ndërkaq procesi arsimor do të fillojë të martën, 3 shtator 2019.

“Anëtarët tanë dhe të gjithë të tjerët të cilët nuk janë anëtarë, kurse duan që të bashkëngjiten, do të jenë në grevë. Ata do të shkojnë në punë, por do të qëndrojnë në hapësira të caktuara për grevë dhe nuk do t’i pranojnë nxënësit që do të vijnë në shkollë”, tha Nedelkov.

Nedelkovi ka deklaruar gjithashtu se është duke u bërë presion ndaj arsimtarëve që t’i pranojnë nxënësit në mësim, ndërkaq paralajmëroi se nëse kjo gjë vazhdon edhe më tej, do të parashtrojë padi penale.

Greva paralajmëruese e SASHK-ut
Greva paralajmëruese e SASHK-ut

Nga ana tjetër, ministri Ademi në konferencë për media, grevën paralajmëruese të SASHK-ut e ka vlerësuar si “të panevojshme” dhe ka bërë thirrje që arsimtarët nesër të mbajnë mësim.

“Grevë organizohet në kushte kur nuk ka zgjidhje. Ne kemi zgjidhje dhe vendim për pagë më të madhe”, tha Ademi, dhe kujtoi se viti shkollor 2019/20 do të nis me Ligj të ri për arsim fillor dhe Ligj të ri për arsimtarët, i cili siç tha ai, është i përqendruar në zhvillimin e karrierës së punonjësve të përkushtuar.

Vendimin për grevë paralajmëruese SASHK-u e ka sjellë për shkak se ata kërkojnë rritje të pagave deri në 25 për qind, e kurse MASH-i ka paralajmëruar rritje të pagës për vetëm 5 për qind.

Grevën e SASHK-ut e mbështet edhe Konfederata e Sindikatave të Lira (KSL).

LEXO: Toçi: Aleanca për Shqiptarët mbështet grevën e arsimtarëve
LEXO: Sindikata: Të hënën grevë, pasi nuk ka marrëveshje me MASH-in
LEXO: Sindikata vendosi: Grevë ditën e parë të shkollës në shtator (VIDEO)
LEXO: RMV, sot do të dihet nëse do të ketë grevë të përgjithshme të Sindikatës në arsim (VIDEO)
LEXO: Protesta e SASHK-ut: Do të radikalizojmë protestat tona, deri në realizimin e kërkesave (FOTO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button