“Princi” adoleshent i Niccolo Machavellit

Kur Jul Qezari shkonte në ekspedita luftarake kurdoherë mbante me vete librin e Aleksandrit të Madh. Napolon Bonaparti në çdo betejë dhe luftë mbante pranë vetes librin e Jul Qezarit dhe “Princin” e Niccolo Machiavellit. Kurse Qemal Ataturku kishte me vete veprën e Machiavellit “Princin” dhe mbante nën sqetull librin e Napolon Bonapartit dhe duke marshuar nëpër istikame recitonte frazat e Napolonit për të inkurajuar e frymëzuar ushtarët.

XXX

Çdo luftë, para se të fillojë ka pasur të përgatitur paraprakisht gjeostrategjinë ushtarake, politike, ekonomike dhe ideologjike. Koncepti strategjik dhe vizioni si doktrinë duhet t’i përshtaten realitetit, kauzës dhe aspiratave. Aktorët dhe protagonistët që kanë udhëhequr luftën kanë qenë kryekomandantët supremë, gjeneralët dhe eprorët e lartë ushtarakë. Në çdo luftë fitorja ose disfata varej, në radhë të parë, nga këta aktorë, si dhe nga mënyra strategjike e organizimit, nga koordinimi e vullneti dhe në fund edhe nga fati.

Para se të fillonin luftrat, liderët pacifistë, duke qenë kundër luftës, mundoheshin t’i zgjidhnin konfliktet me bisedime dhe marrëveshje. Kjo gjë ndodhi   sidomos gjatë luftrave në ish-Jugosllavi. Disa liderë pacifistë, duke menduar se do t;ia arrinin qëllimit, zgjodhën rrugën e zgjidhjes së konfliktit me paqe. Ata mbetën në margjin, u braktisën nga aleatët e tyre, të cilët në fund u fokusuan tek komandantët që bënin luftë. Historia ka treguar se në Ballkan ngërçi dhe zgjidhja është arritur me pushkë, me luftë.

XXX

Shqiptarët e Maqedonisë të zhgënjyer e të frustruar pas Luftës së 2001-shit

Tetëmbëdhjetë vite pas përfundimit të konfliktit të armatosur në pranverë të 2001-shit, çështja e shqiptarëve të Maqedonisë Veriore akoma ka mbetur pa u zgjidhur,

Shqiptarët e Maqedonisë, ndonëse kanë arritur disa të drejta, edhe pas dy dekadave janë në shumë sfera të diskriminuar dhe të nënfleftësuar. Ndonëse janë etniteti i dytë në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët nuk janë të barabartë me maqedonasit. Statusi i tyre është i njëjtë me statusin e etniteteve të vogla sic janë turqit, serbët, boshnjakët, etj.

Lufta, konflikti i vitit 2001 dhe marrëveshja kornizë e Ohrit nuk u solli shqiptarëve atë që kishin ëndërruar. Ata dhe më tej mbetën të zhgënjyer, të frustuar dhe të revoltuar. Shtrohet pyetja se përse u bë lufta? A u desh të bëhej lufta dhe kujt i ka konvenuar më shumë? Sipas analistëve dhe studiuesve në Ballkan, shqiptarët, statusin ekzistues dhe të drejtat që kanë sot pas 18 viteve të përfundimit të konfliktit të armatosur dhe nënshkrimit të marrëveshjes së Ohrit, do t’i kishin arritur në rrugë paqësore, pa luftë. Për dy dekada subjektet politike dhe liderët do t’i arrinin ato të drejta dhe atë status me demonstratat, greva e protesta paqësore. Konkrtetisht, shqiptarët e Maqedonisë po të dilnin masivisht në protesta, t’i ngujonin çadrat para parlamentit dhe duke provuar me muaj të tërë, më në fund, me presionin ndërkombëtar të Bashkimit Europjan dhe të SH.B.A. do t’i detyronin liderët dhe elitën politike maqedonase që të ulen në bisedime dhe do të zgjidhej konflikti dhe status i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Në vitin 2001 shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e humbën shansin historik dhe rrota e historisë shkoi mbrapsht ose u ndal. Kur filloi lufta e ashtuquajtur, populli kishte vullnet të fortë, vendosmëri, moral të lartë dhe ngazëllim entuziast. Atëherë të gjithë besonin se kishin ardhur momentet më të lumtura të histories dhe shpresonin që pas një shekulli më në fund do të zgjidhej përfundimisht çështja dhe kauza e shqiptarëve. Të kalitur dhe të etur për liri, ata ishin gati të sakrifikonin gjithçka dhe në fund të luftonin dhe me hunj gardhi po të ishte nevoja. Shumë të rinj të flaktë dhe të etshëm për veprim, pritnin të shkonin dhe t’u bashkëngjiteshin kolegëve të tyre në front.

Në Perëndim shume djem të rinj kishin gjetur mundësinë dhe kishin blerë uniforma dhe armatim me vet-financimin e tyre. Më kujtohet një rast kur takova dy të rinj nga Zvicra, të cilë ishin nisur për të shkuar në front. Të ngazëlluar dhe të kalitur më thanë: “Më mirë të jemi një ditë si luanë se tërë jetën si lepuri”.

Në Karadak të Kumanovës konflikti mori karakterin e kryengritjes së armatosur. Atje ku popullata ishte më e shtypur dhe  më e diskriminuar kishte më shumë rezistencë. Populli ishte i gatshëm për kryengritje dhe luftë frontale, Mirëpo, siç u pa, lufta nuk kishte një strategji dhe një platformë të qartë e largpamëse. Sipas një analisti ushtarak gjerman, kjo luftë ishte në favor të shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët kishin disa prioritete. Së pari, ata i favorizonte pozita gjeografike, ku mbi 10 % e territorit të Maqedonisë kufizohej me Shqipërinë, pra, kishte vijë kufitare shqiptarë me shqiptarë. Së dyti, shumica e shqiptarëve kishin qenë nëpër fronted e luftës në Kroaci, Bosnjë dhe  në Kosovë. Së treti, ushtarët e Maqedonisë ishin të pastërvitur dhe të dobët. Territoret me shumicë të banuara nga shqiptarë ishin të panjohura për shumicën e ushtarëve maqedonas. Në fund, analisti ushtarak gjerman tha se territoret me shumicë shqiptare, të cilat UÇK-ja do t’i marrë, forcat ushtarake maqedonase nuk mund t’i rimarrin më.

Analisti ushtarak gjerman, i cili ishte njohës i mirë i luftrave në Ballkan, tha se ekzistonin tre skenarë, por mendonte se opsioni më i përshtatshëm do të ishte skenari i Bosnjës. Sipas tij, shqiptarët pas marrjes së territoreve do të caktonin kufijtë administrativë që do të ishin si modeli i Republikës Sërbska. Ose Konfederatë kantonaliste (në bazë kantonesh). Por një gjë dihet se ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë nuk do të ekzistonte më si më parë.

xxx

Skenari dhe retorika si në Luftrat Ballkanike

Ali Ahmeti si udhëheqës dhe Komandant Suprem, po të kishte pasur një gjeo-strategji dhe koncept për të vazhduar luftën, do të merrte territore. Në fund, pas armëpushimit, do të vinin forcat paqësore [forcat ndërkombëtare paqeruajtëse], ndërhyrja e ndërkombëtarëve dhe do të përsëritej skenari dhe retorika si në luftërat e ish-republikave jugosllave dhe të Kosovës. Ndërkombëtarët si ndërmjetësues do t’i ulnin [në tavolinë] shqiptarët dhe maqedonasit. Presioni dhe tendencat e ndërkombëtarëve, sidomos të SH.B.A. dhe të Bashkimit Evropian do të ishin për mos-ndryshimin e kufijve dhe ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Maqedonisë. Pala fituese në këto bisedime do të diktonte kushtet e paqes, pra shqiptarët e Maqedonisë. Në bisedime ndërkombëtarët do t’u bënin presion dy palëve që të nënshkruanin paqen. Sipas skenarit, si opsion do të ishte Plani A ose Plani B. Konfederatë, federatë asimetrike ose kantonizëm. Në fund, shqiptarët do ta ndanin pushtetin me maqedonasit dhe pa pikën e dyshimit do të ishin etnitet i barabartë me ta, siç është federata boshnjake.

Te vepra “Princi” Niccolo Machiavelli shkruan: “A duhet Princi të jetë i dashur, të jetë i mëshirshëm? Po populli a duhet të ketë frikë nga Princi?” Machiavelli shkruan se qeniet njerëzore janë të brishta, Pa diktat të arsyes ata do ta keqpërdorin lirinë. Në fund ai thotë se duhet që Princi të jetë i dashur ndaj popullit por dha ata duhet të druhen nga ai. Princi duhet të jetë një luan i fortë por dhe dhelpër dinake në situata kur ka nevojë. Sipas Machiavellit, princi i dobët c me sjellje adoleshenti sa më gjatë të rrijë në pushtet, aq më shumë bën mëkate dhe urrehet nga populli. Ali Ahmeti si Princ në luftë ishte prototip i princit adoleshent dhe të dobët. Ai nuk ishte luan i fortë, por as dhelpër dinake, siç shkruan Machiavelli. Ali Ahmeti, edhe pas mbarimit të luftës, si lider mbeti politikan patuljak.

Lideri i B.D.I.-së në kongresin e ardhshëm [të partisë së tij], po vazhdoi të ngelet edhe në të ardhmen në Lidership, do të vazhdojë të bëjë mëkate, të urrehet nga populli dhe të ngelet i vetmi dinosaur në Ballkanin Perëndimor. Ai do ta humbë kredibilitetin dhe reputacionin që i ka mbetur dhe, si Princi tinejxher dhe patuljak i Machiavellit, do të urrehet edhe pas vdekjes.

Shkruan: Merxhan Jakupi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button