Ky është propozimi i Kurtit ku sakrifikoi postin e kryeministrit, përsëri LDK e refuzoi koalicionin

Sonte në Kosovë mbaron afati i regjistrimit të koalicioneve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 6 tetor, ndërsa Albin Kurti edhe një herë doli me një ofertë konkrete për koalicionim me LDK, transmeton Portalb.mk.

Në ofertën e tij, lideri i Lëvizjes Vetevendosje!, Albin Kurti sakrifikon edhe postin e kryeministrit, nëse qytetarët në listën e përbashkët LDK-VV e votojnë Vjosa Osmanin më shumë. Diçka e tillë është e mundshme në Kosovë, ku sistemi zgjedhor është me lista të hapura.

Por këtë ofertë e refuzuan menjëherë nga LDK, përmes nënkryetarit të dytë Agim Veliu.

“Është e drejtë e Kurtit me bë letra e kërkesa të tilla por është e drejtë e LDK-së me i zbatu të vetat. Jo, në asnjë mënyrë nuk kemi me pranu këtë kërkesë të tij. Ne garojmë me kryeministër tonin, me apo pa VV-në. Unë nuk po shoh ndonjë mundësi për koalicion me VV-në”, deklaroi Veliu.

Pas nënkryetarit, ka reaguar edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

“LDK-ja është e hapur që marrëveshja të lidhet, nën drejtimin e kandidates sonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së e ka miratuar unanimisht kandidaturën e znj. Osmani, prandaj ajo e ka përkrahjen e plotë të LDK-së për të kryesuar listën si kandidate për kryeministre dhe për të fituar zgjedhjet. LDK-ja është subjekti më i madh politik në Kosovë, ka besimin më të madh, ka përkrahjen më të madhe, prandaj edhe do ta udhëheqë vendin”, ka shkruar tutje Mustafa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button