Plani B

Assesi të arrihet marrëveshje për të vendosur për statusin e Prokurorisë Speciale tani kur për vetëm edhe dy javë përfundon edhe në mënyrë të rregullt mandati i Katica Janevës. Këshilli i Prokurorëve Publikë këto ditë vendos për të shkarkuar tërësisht atë nga funskioni i prokurorit publik për shkak të përfshirjes në rastin që njihet si “Shantazhi”. Një përfundim i mjerë i një kariere që mund të ishte historike dhe heroike në të njëjtën kohë, një shuarje e shpejtë e një meteori që më tepër reflektoi se sa bëri dritë të vërtetë. Me ose pa shkarkimin e saj mandati i saj i rregullt mbaron me 15 Shtator dhe tani është koha për të zgjedhur kreun e ri të kësaj prokurorie. Edhe SHBA edhe UE shprehën qartazi qëndrimin se PSP si institucion duhet të vazhdojë punën dhe t’i përfundojë rastet e filluara duke bërë kështu edhe një herë dallimin mes individit dhe institucionit. Por një dallim i tillë vështirë arrin të bëhet në praktikë. Ligji për PSP ka aq shumë zbrastira juridike të cilat nuk kanë mbuluar situata të tilla të paparamendueshme kur ashtu siç ndodhi tani, mandati i prokurores speciale u ndërpre para kohe. Ky ligj nuk ka përcaktuar as emrimin e një ushtruesi të thjeshtë detyre e as shumë gjëra tjera. Mbi të gjitha, ky ligj i ka dhënë pushtet absolut pikërisht prokurores speciale që të jetë paditës i autorizuar i vetëm në të gjitha rastet e ngritura nga ajo prokurori, ndërsa ndihmësit e saj janë përcaktuar vetëm si zëvendës të saj të cilët pa të nuk kanë kompetencat e nevojshme për të vazhduar me udhëheqjen e lëndëve.

Nga ana tjetër, në Kuvend situata është dramatike. Opozita rrefuzon të votojë ndryshimet në Ligjin për prokurorinë publike ku parashihet edhe zgjidhja e statusit të ardhshëm të PSP dhe inkuadrimi i kësaj prokuroie në sistemin e prokurorive të rregullta. Kjo është më se e kuptueshme. Shumë deputetëve e strukturave aty në Kuvend, e veçanërisht partisë më të madhe opozitare, nuk i konvenon që PSP të vazhdojë me punë, e veçanërisht nuk i shkon për shtat që kjo të bëhet një prokurori e rregullt që do të kishte mundësi t’i ndiqte edhe ato lëndë për të cilat Jovo Vangellovski dhe gati të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Supreme thanë se nuk ka kompetencë t’i ndjekë. Kështu, Ligji për prokurorinë publike hyri në procedurë parlamentare pa marrëveshje paraprake me opozitën, diçka si No Deal Brexit. Ecja e një procedure parlamentare pa një marrëveshje paraprake me të gjitha anët është zakonisht zgjidhja më e keqe lidhur me kalimin e një ligji. Kështu duket se është duke ndodhur edhe me Ligjin e prokurorisë publike, i cili është ligj që për të kaluar kërkon një shumicë të kualifikuar të 2/3 të votave të të gjithë deputetëve. Për më tepër, ky është njëri ndër ligjet kryesore që kërkohen nga UE si kusht që të hapim negociatat për aderim.

Dhe në një situatë të tillë të no-deal Ligjit, ministreja e drejtësisë shpalli që qeveria ka plan B lidhur me këtë çështje. Këtë plan e përshkruajti qoftë si mundësi që të gjitha lëndët e PSP të kalojnë në prokurorinë e rregullt, ose në anën tjetër, përmes ndryshimit në Ligjin për këshillin e prokurorëve publikë të mundësohet për shembull, vendosja e një ushtruesi detyre në PSP deri sa të zgjidhet statusi final i kësaj prokurorie. Të dy propozimet janë problematike dhe nuk japin një zgjidhje esenciale të problemit të krijuar me shkruarjen e Katica Janevës në paraburgim.

Kur flitet për kalimin e lëndëve nga PSP tek prokuroria e rregullt duhet të thuhet që kjo juridikisht është e mundur pa asnjë problem. Prokuroria e rregullt nuk ka kufizim në kompetencën e saj dhe mund të ndjekë çfarëdo vepre penale. PSP u krijua si prokurori e specializuar vetëm për veprat që kanë të bëjnë me përgjimet. Në momentin kur kjo e fundit pamundësohet të veprojë, kalimi i lëndëve tek prokuroria e rregullt mundëson vazhdimin e ndjekjes së tyre penale. Por në atë rast rezultati është se PSP mbetet pa lëndë, pa kryesues, dhe rrjedhimisht pa arsye që të ekzistojë. Ky variant e zgjidh çështjen e PSP me anë të zhdukjes së tërësishme të saj, sepse atëherë vetë debati i vendosjes së një shefi të ri në atë prokurori mbetet i pabazë.

Kur flitet për variantin e dytë të intervenimit përmes Ligjit për këshillin e prokurorëve publikë, ky është një variant tepër i kufizar për sa i përket rezultatit. Ndryshime esenciale përmes këtij varianti nuk mund të bëhen, përveç ndonjë ndryshimi teknik si për shembull, të vendosjes së një ushtruesi të përkohshëm të detyrës së prokurorit special. Edhe një gjë e tillë sigurisht që do të kontestohet ashpër nga shumë anë sepse juridikisht është e pamundur dhe e papranueshme që përmes një ligji që kalon në kuvend me shumicë të thjeshtë të intervenohet në statusin e një institucioni që rregullohet me ligj që kalon me shumicë të kualifikuar. Kjo në një shtet normal konsiderohet kundërkushtetuese, ashtu si për shembull konsiderohet veprim kundërkushtetues që përmes Ligjit për përdorim të gjuhës të intervenohet në përdorimin e gjuhës në procedurën penale apo civile të cilat rregullohen me ligj sistemor që kalon me shumicë të kualifikuar. Prandaj në këtë drejtim intervenime esenciale që kanë të bëjnë me statusin e PSP nuk mund të bëhen.

Ajo që është tejmase ironike është kërkesa e VMRO-DPMNE që ata në mënyrë të njëanshme ta caktojnë Prokurorin e ri special. E keni parasyshë, partia me numër më të madh të të akuzuarve nga kjo prokurori ta zgjedhë prokurorin që do i ndjekë ata. Kjo është tërësisht absurde. Për më tepër, përfaqësuesit e kësaj partie gjithë ditën thonë se janë shumë të interesuar për drejtësi dhe sundim të ligjit, por në praktikë, ata e sabotojnë zgjidhjen e statusit të PSP me të vetmin qëllim që të pamundësojnë ndjekjen penale të shokëve të tyre.

Nuk besoj që nga ky labirint mund të dalim vet, asnjëherë nuk kemi arritur të dalim vet, as kur u krijua PSP, as kur filloi me punë, e nuk do të dalim as tani. Ajo që nevojitet është një invazion i ri i ndikimit ndërkombëtar që kjo punë të zgjidhet sepse është e dukshme që në këtë shtet shumë njerëzve nuk u bëhet fare vonë as për drejtësinë e as për hapjen e negociatave për aderim në UE.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button