Maduro: Bisedimet mes qeverisë dhe opozitës mund të fillojnë sërish

“Ne kemi kontaktuar me qeverinë norvegjeze. Shumë takime janë mbajtur dhe ne kemi vendosur përsëri marrëdhënie me përfaqësuesit e opozitës venezueliane”, tha Maduro

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, deklaroi se mund të fillojnë përsëri bisedimet që u pezulluan pasi opozitari, kryetar i Asamblesë Kombëtare Juan Guaido i vetëshpallur si president i vendit mbështeti ngrirjen e aseteve të vendit në SHBA, transmeton Anadolu Agency (AA).

Maduro në një deklaratë për agjencinë zyrtare kineze të lajmeve Xinhua në rezidencën presidenciale Miraflores në Caracas, të Venezuelës ka folur lidhur me bisedimet e zhvilluara me opozitën me ndërmjetësimin e Norvegjisë të cilat më pas u pezulluan.

“Ne kemi kontaktuar me qeverinë norvegjeze. Shumë takime janë mbajtur dhe ne kemi vendosur përsëri marrëdhënie me përfaqësuesit e opozitës venezueliane”, tha ai.

“Unë kam propozuar që bisedimet të bëhen të vazhdueshme, të formohet një tryezë bisedimesh e përhershme për paqen që të dalë mbi të gjitha vështirësitë dhe stuhitë”, tha Maduro duke bërë të ditur se së shpejti do të ketë lajme të mira rreth bisedimeve të zhvilluara në Barbados.

Ngrirja e pasurive të Venezuelës në SHBA

Të gjitha pasuritë e Venezuelës në SHBA u ngrinë pas një dekreti të publikuar në fillim të muajit gusht me nënshkrimin e presidenti amerikan Donald Trump.

Në dekretin e publikuar me titull “Ngrirja e aseteve të shtetit të Venezuelës”, thuhet se “janë bllokuar të gjitha pasuritë e Venezuelës në SHBA, përfshirë edhe interesat ndaj këtyre pasurive; këto nuk mund të transferohen, eksportohen, tërhiqen ose tregtohen”.

Pas ngrirjes së të gjitha pasurive të Venezuelës në SHBA, Guaido në një deklaratë mbrojti sanksionet e vendosura kundër Qeverisë Maduro dhe pretendoi se këto sanksione synonin “mbrojtjen e venezuelianëve”.

Në Venezuelë, ku një kohë të gjatë po përjetohet një krizë e madhe politike dhe e cila ka kaluar në një përpjekje për grusht shteti, qeveria dhe opozita muajin e kaluar filluan bisedimet në Barbados me ndërmjetësimin e Norvegjisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button