Bisedimet për Brexit-in do të intensifikohen

Kryeministri Boris Johnson tha se dëshiron të “shpejtojë” bisedimet me Bashkimin Evropian, për të arritur një marrëveshje të re të Brexit-it, para afatit të daljes së vendit nga BE-ja më 31 tetor.

Negociatorët britanikë do të takohen me homologët e tyre në BE, dy herë në javë përgjatë shtatorit, në një përpjekje për të arritur një marrëveshje të re divorci, shkruan REL.

“Ne jemi të gatshëm të punojmë në një mënyrë të vendosur për të arritur një marrëveshje”, tha Johnson.

Negociatori i tij kryesor për Brexit-in, David Frost, do të shoqërohet në Bruksel nga zyrtarë të ndryshëm, në varësi bisedimeve, përfshirë ekspertë për dogana, çështje tregtare, e të tjera.

“Diskutimet deri më tani kanë treguar se të dyja palët mbeten disi larg nga çështjet kryesore, por që janë të gatshme të punojnë shumë për të gjetur një rrugëdalje”, njoftoi qeveria britanike përmes një deklarate.

Deklarata e kryeministrit Johnson, vjen dy ditë pas vendimit të tij për të pezulluar punën e Parlamentit.

Kjo masë nxiti reagime të ashpra nga deputetët dhe kundërshtarët e Brexit-it pa marrëveshje.

Vendimi po ashtu shkaktoi protesta në gjithë Britaninë, dhe një peticion me më shumë se një milion nënshkrime.

Marrëveshja e negociuar nga BE-ja dhe ish-kryeministrja britanike, Theresa May, është rrëzuar nga parlamenti britanik tri herë radhazi.

Kryeministri Johnson ka këmbëngulur se Britania e Madhe dëshiron të largohet nga BE-ja me një marrëveshje të rinegociuar të tërheqjes, por që sipas tij, edhe nëse nuk do të ndodhë diçka e tillë, vendi do të dalë nga BE-ja më 31 tetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button