REL: Ç’rol pati Vladimir Cizeli në tërheqjen e njohjeve për Kosovën

Drejtori i Kompanisë “Instituti Vlatacom”, Vladimir Cizelj, këtë vit nuk ka qëndruar në Francë, thuhet në një përgjigje të kësaj kompanie për Radion Evropa e Lirë.

Një portal në Republikën e Afrikës Qendrore ka shkruar se Ministria e Jashtme e Serbisë, përmes një ndërmjetësuesi, në Paris gjatë muajit korrik të vitit 2019 i ka ofruar ryshfet ministres së Jashtme të Afrikës Qendrore, Sylvie Baipo Temon, para vendimit të pretenduar për tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kosovës, përmes një reagimi ndaj këtij shkrimi, pati thënë se ky ndërmjetësues është Vladimir Cizelj.

“Në korrik (Vladimir Cizelj), vizitoi Australinë, Filipinet dhe Japoninë”, thuhet në përgjigjen e kompanisë, drejtor i së cilës është Vladimir Cizelj.

Vlatakom nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë në lidhje me rolin e Cizeljit në fushatën e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, por vetëm deklaroi se “Instituti Vlatacom” merret me teknologji dhe jo politikë”.

Emri i Vladimir Cizelj u përmend në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Jashtme të Kosovës, më 26 gusht, ku u tha se Ministria e Jashtme serbe po ofron ryshfet për shtetet në këmbim të tërheqjes së njohjes së Kosovës.

Sipas një hulumtimi të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Vladimir Cizelj u punësua si Këshilltar Special i Ministrisë së Jashtme të Serbisë. Këtë e konfirmon një dokument i Kombeve të Bashkuara, ku emri i tij figuron si një nga delegatët e Ministrisë serbe në një konferencë të Kombeve të Bashkuara.

Ministria e Punëve të Jashtme serbe ende nuk u është përgjigjur akuzave se po përdor ryshfetin, si një mjet diplomatik, për të marrë nga vende të ndryshme nota diplomatike, për tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button