Takimi Shundov – Gjurçinovski: Integrimi në NATO, Kroacia do t’i shkëmbejë përvojat me RMV-në

Delegacion i lartë ushtarak i Forcave të Armatosura të Kroacisë, i kryesuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Mirko Shundov, po qëndron në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku është pritur në Ministrinë e Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas pritjes me nderime të larta ushtarake, gjenerali Shundov realizoi takim me homologun e tij, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Maqedonisë së Veriut, Vasko Gjurçinovski, si dhe me ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Në kumtesën e Shtabit të Përgjithshëm, thuhet se Gjurçinovski shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Forcave të Armatosura të Kroacisë, e cila siç thuhet në kumtesë, është e vazhdueshme dhe veçanërisht e rëndësishme si në periudhën e kaluar ashtu edhe në periudhën që pason në procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

“Gjenerali Mirko Shundov kishte takim edhe me ministren e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska, ku u theksua bashkëpunimi i shkëlqyeshëm midis dy vendeve, veçanërisht në fushën e mbrojtjes. Shekerinska falënderoi për ratifikimin e shpejtë të protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO dhe vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis ushtrive në fushën e arsimit dhe pjesëmarrjen e përbashkët në stërvitjet ushtarake”, thuhet në kumtesë.

Në të gjithashtu thuhet se gjenerali Shundov ka uruar Maqedoninë e Veriut për rrugëtimin e suksesshëm drejt anëtarësimit në NATO dhe ka ofruar eksperiencat e ushtrisë kroate për çdo hap të mëtejmë.

Sipas kumtesës, gjenerali Shundov ka shprehur falënderime për pjesëmarrjen e Armatës së Maqedonisë së Veriut në stërvitjen ndërkombëtare ushtarake “Reagimi emergjent” në Kroaci dhe dërgoi lëvdata për zgjedhjen cilësore të personelit nga Maqedonia e Veriut, të cilët po trajnohen në qendrat stërvitore ushtarake në Kroaci.

“Përveç mundësive për promovimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, gjatë takimit me delegacionin e Forcave të Armatosura të Kroacisë, u diskutua edhe procesi i transformimit dhe modernizimit të Ushtrisë, kontributi i Ushtrisë nga pjesëmarrja në operacione jashtë shtetit, shfrytëzimi i kapaciteteve të poligonit ushtarak Krivollak për stërvitje, angazhimi i ushtrisë për të mbështetur Ministrinë e Brendshme gjatë krizës së migrantëve”, thuhet në deklaratë.

Në kuadër të vizitës në Maqedoninë e veriut, delegacioni i lartë ushtarak nga Kroacia ka realizuar takim edhe me presidentin e shtetit, Stevo Pendarovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button