Këtë shtator me çantat plot, aktivistja nga Tetova ka mbledhur materiale shkollore për fëmijët në nevojë

Aksioni “Shtatori këtë mot, me çantën plot!” ka qenë i suksesshëm. Deri tani janë shpërndarë nëpër familjet në nevojë mbi 100 çanta. Megjithëse ka përfunduar grumbullimi i mjeteve shkollore për fëmijët në nevojë, shpërndarja e tyre nuk ka përfunduar ende dhe vazhdon edhe këto ditë. Rita thotë se është e kënaqur nga aksioni dhe se madje i ka tejkaluar pritshmëritë e saj.

“Në këtë periudhë fëmijët dhe prindërit e tyre vrapojnë nëpër librari dhe përgatiten për fillimin e vitit shkollor”, sqaron Rita Behadini, studente dhe aktiviste nga Tetova. “Por jo të gjithë kanë mjete të mjaftueshme për të blerë gjithçka që u nevojitet.”

E frymëzuar dhe udhëhequr nga ky problem, por edhe nga mosinteresimi i institucioneve për të ndërmarrë diçka në lidhje me të, ajo ka nisur një aksion humanitar që ka për qëllim të mbledhë mjaftueshëm materiale dhe mjete shkollore dhe t’i dhurojë aty ku janë të nevojshme.

Nën emrin “Shtatori këtë mot, me çantën plot!”, Rita e ka filluar aksionin në disa bare, kafene dhe librari lokale në Tetovë dhe rrethinë ku janë vendosur kuti për donacione. Në to, gjithsecili mund të lërë çfarëdo lloj materiali shkollor, fletore, blloqe dhe gjësende të tjera.

Gjërat e mbledhura më pas do t’u dhurohen fëmijëve nga familje në nevojë ose shfrytëzuese të ndihmave sociale. Gjatë kësaj periudhe ajo ka kontaktuar rreth 50 familje që kanë nevojë për një donacion të këtillë.

Përveç tyre, janë kontaktuar edhe familje tjera fëmijët e të cilëve ndjekin shkollat në rrethinë. Sipas vlerësimeve të saj, në fund të aksionit do të mblidhen mjaftueshëm materiale për të mbuluar pjesën më të madhe të atyre që kanë nevojë për një ndihmë të këtillë.

“Jam e lumtur që pjesëmarrja e banorëve lokalë deri tani është vërtetë e madhe”, thotë Rita. “Aksioni ka filluar para një jave, më 15 gusht, dhe veçmë kemi mbledhur një numër të madh të fletoreve, blloqeve, dhe gjësendeve të tjera.”, shton ajo.

Kutitë për donacione kanë qenë të vendosura në dhjetë lokale nëpër Tetovë deri më 25 gusht.

Megjithatë, edhe pse pjesëmarrja e popullatës është e madhe, mungon interesimi i institucioneve dhe organizatave joqeveritare për t’u kyçur në këtë aksion, thotë aktivistja e re.

“Ideja është imja dhe fillova ta realizoj vetë. Sigurisht që një ndihmë e këtillë është e nevojshme në të gjithë vendin, jo vetëm në këtë qytet, por për këtë kam nevojë për ndihmë”, sqaron ajo.

Rita shpreson se suksesi i kësaj përpjekjeje do t’i motivojë njerëzit në të gjithë vendin të përfshihen dhe të bëjnë diçka të ngjashme në vendin e tyre.

“Edhe pse tanimë është vonë, fëmijët nisin shkollën së shpejti, shpresoj që vitin e ardhshëm më shumë organizata do të bëjnë diçka të ngjashme në më shumë vende.”

Rita është e vendosur se asnjë fëmijë nuk guxon të ndihet keq dhe i diskriminuar që nga mosha e re, për shkak të, siç thotë ajo, gjërave banale, që mund lehtësisht të përmirësohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button