PASQYRAT HIPOKRITE

Në një libër mbi poltronizmin në teori dhe praktikë flitet për dallimin ndërmjet poltronit dhe superpoltronit. Poltroni ia shkruan fjalimet shefit, pastaj ulet në rendin e parë dhe duartroket më shumë se sa të tjerët. Superpoltroni ia shkruan fjalimet shefit, pastaj ulet në rend të parë dhe mban shënime derisa e dëgjon fjalimin…

Poltroni, që nuk ka fytyrë dhe guxim, triumfon aty ku ka autoritarizëm. Ai nuk ka vendim të prerë. Ai është gënjeshtar i lindur, që si maniak i nënshtrohet postit dhe pushtetit. Për të është i rëndësishëm vetëm ai që ka post dhe pushtet. Ai përherë i jep të drejtë prijësit ose shefit. E citon atë edhe kur thotë marrëzira. Nuk i kursen epitetet për njerëzit e veshur me pushtet.

Shkrimtari Mesha Selimoviqi thotë se poltronët janë njerëzit më të këqij, më të dëmshëm dhe më të pistë në këtë botë.

Ata e përkrahin çdo pushtet, ata janë vetë pushteti, ata përhapin frikë pa pikë mëshire, pa kurrfarë justifikimi, pa kurrfarë shkaku. Janë të ftohtë si akulli, të mprehtë si thika, qen besnikë të çdo shteti, lavire të pabesa ndaj çdo njeriu, janë më pak njerëz se sa njerëzit tjerë. Nëse bota është e pafat, ata do të shkatërrojnë çdo vlerë të vërtetë njerëzore. Poltronët janë plehu ku rriten gjithë të ligat e kësaj bote“.

Poltroni nuk është si pasqyra e përrallës, e cila, para se të shfaqej Borëbardha, përherë i thoshte shtrigës se ajo ishte më e bukura e botës. Pasqyra e poltronit, për dallim nga pasqyra e përrallës, i deformon imazhet si një pasqyrë moskovi. Ajo përherë i thotë prijësit apo shefit: je më i miri, më i drejti, më i forti, më i bukuri! Prijësi ynë është gjeni, është fenomenal, është i ndershëm, është trim, është hero i gjallë, është gjithçka! Por poltroni nuk i beson asaj që thotë.

Njerëzit e veshur me pushtet, duke u besuar pasqyrave hipokrite, e humbin botën reale dhe bëhen pjesë e një botë virtuale. Prijësi i zgjuar, që është i rrallë, nuk joshet nga lëvdatat, sepse lëvdatat e përgjumin politikanin e dobët dhe ja vjedhin realitetin. Prijësi që mposhtet nga lëvdatat fillon t’i besojë pasqyrës hipokrite, e cila e thotë atë që dëshiron ta dëgjojë prijësi.

Prijësit sa më shumë zhyten në botën virtuale, që ua sajojnë poltronët, aq më shumë besojnë se ajo është bota e vërtetë dhe nuk arrijnë ta kuptojnë se poltroni i shet ata që e kanë blerë, se poltroni edhe pse shtiret se punon për prijësin, në fakt, ai punon vetëm për veten. Poltroni nuk ka kohë për të humbur me prijësin e humbur. Ai nuk merakoset për dështimet e prijësit, por për pozitën e tij. Poltroni nuk ka druajtje dhe kufizime morale. Ai shërben aty ku ka interes.

Prijësi që u beson pasqyrave hipokrite, me kalimin e kohës, pa e kuptuar, kontrollohet nga poltronët që i përkulen, por po ndryshuan rrethanat e tërheqin zvarrë “të adhuruarin” e deridjeshëm. Poltronët ndër të parët kërcejnë nga anija që fundoset. Se poltroni nuk e ndryshon kauzën. Kauza e tij është personale. Ai bën gjithçka për atë kauzë. Ai vetëm merr dhe nuk jep asgjë tjetër përpos lavdeve dhe “besnikërisë” prej poltroni. Për poltronin mirënjohja është e pavlerë. Ai, si i sëmurë psikik, nuk e njeh brerjen e ndërgjegjes.

Shumica e prijësve i duan rreth vetes shtiracakët e neveritshëm, sepse besojnë se kontrollohen më lehtë. Por ata e kuptojnë gabimin kur vjen shtrëngata. Prijësit që duan rreth vetes poltronë, janë vetë të tillë. Ata vuajnë nga inferioriteti dhe janë autoritarë…

Në botë ka robër, padronë dhe shpirtra të lirë. Robërit dhe padronët janë në besëlidhje të përhershme. Shpirtrat e lirë, që janë të paktë, rijnë larg prijësve. Edhe po të duan, që nuk ndodh, nuk mund të afrohen te prijësit, për shkak të kordonit që kanë ngritur poltronët dhe shpirtrobërit. Shpirtrat e lirë nuk janë “as Albën dhe as me Romën”, siç thotë Pjer Kornej. Shpirtrat e lirë janë me të vërtetën. Ata janë të këtillë jo për shkak të të tjerëve, por për shkak të vetvetes. Shpirtrat e lirë nuk robërojnë askënd dhe as nuk robërohen. Ata janë si zogjtë që nuk bëjnë dot pa qiellin e lirisë.

Historia njerëzore na mëson se ka pak prijës që i kanë dëgjuar shpirtrat e lirë, të cilët përherë e thonë të vërtetën që dhemb. E thonë atë që e mendojnë dhe jo atë që ua kërkojnë ta thonë. Ata nuk janë as me prijësin, as me turmën.

Sot, si dje, jetojmë nën “agresionin e mentalitetit poltronist”, siç e quan një autor. Çdo qeveri kursen. I shfrytëzon poltronët e vjetër. Shoqëria jonë i do njerëzit e fuqishëm, sepse ka frikë nga liria. Njerëzit e fuqishëm shpallen si njerëz të mëdhenj. Megjithatë, ka dallim ndërmjet njeriut të fuqishëm dhe njeriut të madh. Poltroni kurrë nuk e bën këtë dallim. Kështu mbijeton “plehu ku rriten gjithë të ligat e kësaj bote”.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button