Të enjten Ligji për PSP në seancën e Komisionit për çështje evropiane

Për të enjten është caktuar seanca e radhës e Komisionit parlamentar për çështje evropiane, ku do të diskutohet për Propozim-ligjin për prokurori publike dhe Propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Këshillin e prokurorëve publik të Republikës së Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Në kuadër të propozim ligjit të parë do të vendoset edhe statusi i ardhshëm i Prokurorisë speciale publike. Sipas Ministres së drejtësisë, Renata Deskoska, gur i madh pengues mes pushtetit dhe opozitës mbetet statusi i lëndëve të cilat i udhëheq PSP-ja.

Diskutimi për këtë propozim-ligj në komisionet e Kuvendit filloi pasi, Kuvendi sot në seancën plenare ka vendosur në procedurë të shkurtuar Propozim ligjin për prokurori publike me të cilën duhet të zgjidhet statusi i ardhshëm i Prokurorisë speciale publike. Për propozimin kanë votuar 57 deputetë nga 99 të pranishëm. Pas këtij vendimi të Kuvendit, këto ligje duhet të shqyrtohen në seanca të trupave të punës.

Seanca do të zhvillohet të enjten më 29 gusht 2019 me fillim në ora 11:00, informojnë nga Komisioni për çështje evropiane.

Kryetari i Komisionit për çështje evropiane të Kuvendit të RMV-së, Artan Grubi vendosi për këtë seancë, pas konsultimeve me koordinatorët e grupeve parlamentare dhe kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi lidhur me dy ligjet kyçe.

Ministrja Deskoska, sot sqaroi procedurat që do të ndjekë Kuvendi për zgjidhjen ligjore të problemit të PSP-së.

“Në rast se nuk mblidhet shumicë për Ligjin për Ligjin për Prokurori Publike, të gjitha lëndët e Prokurorisë Speciale do t’i marrë dhe do t’i vazhdojë një prokurori tjetër. Ose, me ndryshim të Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publik, i cili miratohet me shumicë të thjeshtë, do të gjendet zgjidhje për funksionim e Prokurorisë Speciale”, tha ministrja Deskoska.

Sipas propozim-ligjit të qeverisë, PSP duhet të bashkohet me Prokurorinë Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe të quhet Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Lartë dhe në krye të saj do të jetë shefi i kësaj prokurorie, Vima Ruskoska. Njëkohësisht prokurorët, të cilët janë ende duke punuar në PSP, duhet të vazhdojnë punën e tyre.

LEXO: Ligji për Prokurorinë Publike në Parlamentin e Maqedonisë me procedurë të përshpejtuar
LEXO: Nëse nuk ka shumicë për Ligjin për Prokurori Publike, pushteti ka plan B

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button