Nëse nuk ka shumicë për Ligjin për Prokurori Publike, pushteti ka plan B

Kuvendi sot në procedurë të shkurtuar e ka konstatuar nevojën e miratimit të propozim-ligjit për Prokurori Publike, me të cilin duhet të zgjidhet çështja e statusit të Prokurorisë Speciale. Për propozim ligjin kanë votuar 57 deputetë nga 99 të pranishëm, njofton Portalb.mk.

Deputetët e opozitares VMRO-DPMNE nuk kanë votuar.

Me këtë filloi diskutimi për këtë propozim-ligj në komisionet kuvendore.

Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska në fillim të seancës tha se shpreson që të gjitha partitë politike t’i mbledhin forcat dhe ta votojnë këtë ligj, me të cilin do të vazhdojnë procedurat e filluara nga Prokuroria Speciale.

“Shpresoj se të gjithë ju t’i mblidhni forcat dhe të jepni dritë jeshile për fikjen e zjarrit në të cilin ndodhemi disa vjet, e ajo është vazhdimi i procedurave të Prokurorisë Speciale, në të cilin shohim se kemi indikacione dhe akuza për kryerje të krimit nga ish pushteti, por gjithashtu kemi edhe situatë në të cilën është hapur rast serioz, siç është “Reket”, i cili gjithashtu duhet që të ketë procedurë serioze për mbarimin e procesit gjyqësor. Duhet që të kemi drejtësi efikase për të gjithë pavarësisht se cilës garniturë i përkasim. Përpara jush, nëse do të shtypni pullë të gjelbër ose të kuqe, duhet ta keni parasysh ardhmërinë e qytetarëve tanë”, tha Deskoksa.

Ajo gjithashtu shtoi se nëse nuk mblidhet shumicë prej dy të tretave për Ligjin për Prokurori Publike, do të shkohet në variant tjetër, në mesin e të cilës përmendi edhe ndryshim të Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publik.

“në rast se nuk mblidhet shumicë për Ligjin për Ligjin për Prokurori Publike, të gjitha lëndët e Prokurorisë Speciale do t’i marrë dhe do t’i vazhdojë një prokurori tjetër. Ose, me ndryshim të Ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publik, i cili miratohet me shumicë të thjeshtë, do të gjendet zgjidhje për funksionim e Prokurorisë Speciale”, tha ministrja Deskoska.

Antonio Milloshoski nga VMOR-DPMNE, kërkoi nga Deskoska të japë dorëheqje pasi që, ashtu siç tha ai, në mandatin e saj si ministre e Drejtësisë, ka ndodhur skandali i quajtur “Reket”.

Me rastin e seancës, dje mbledhje për Ligjin kanë mbajtur grupet punuese të pushtetit dhe opozitës, por nuk kanë arritur marrëveshje për çështjet kontestuese. Ministrja Deskoska, pas takimit deklaroi se mospajtimet janë kryesisht në çështjen e statusit të lëndëve të PSP-së. Nga VMRO-DPMNE kanë deklaruar se vërejtjet e tyre do t’i dorëzojnë si amendamente gjatë diskutimeve në komision. Deri të enjten opozita ka afat për dorëzimin e amendamenteve.

Sipas propozim-ligjit të qeverisë, PSP duhet të bashkohet me Prokurorinë Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe të quhet Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të Lartë dhe në krye të saj do të jetë shefi i kësaj prokurorie, Vima Ruskoska. Njëkohësisht prokurorët, të cilët janë ende duke punuar në PSP, duhet të vazhdojnë punën e tyre, ndërsa për hetuesit ofrohen dy mundësi, ose të transferohen në Prokurorinë publike ose të kthehen në MPB prej nga kanë ardhur e pastaj të krijohet një qendër hetimore në Prokurorinë publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button