Kosovë, prokuroria mbyll rastin, Dino Asanaj është vetëvrarë

Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, ka mbyllur rastin e vetëvrasjes së Dino Asanajt, pasi që bazuar në të gjitha provat, prokuroria konkludon, se i ndjeri është vetëvrarë.
Prokuroria sot ka mbyllur rastin e vetëvrasjes së Dino Asanajt dhe për këtë e ka njoftuar zyrtarisht edhe Policinë e Republikës së Kosovës.

Me qëllim të zbardhjes se rastit prokuroria ka shikuar vendin e ngjarjes së bashku me Policinë e Kosovës, ka marrë të gjitha provat e mundshme nga vendi i ngjarjes dhe ka kërkuar të gjitha ekzaminimet e nevojshme.

Me ekzaminimin e AND-së është vërtetuar se të gjitha gjurmët e gjakut të gjetura në vendin e ngjarjes janë të të ndjerit. Me ekzaminimin e thikës është konstatuar se ajo është pronë e tani të ndjerit dhe në të janë gjetur vetëm gjurmët e dorës së tij. Me ekzaminimin e AND-së së të gjitha mostrave të marra nga trupi i tani të ndjerit, perfshirë edhe ato nga thonjtë, është vërtetuar se ato nuk përmbajnë profile të AND-së të ndonjë personi tjetër. Me ekzaminimin grafologjik të letrës së gjetur në tavolinë është vërtetuar se ajo është e shkruar nga tani i ndjeri, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Prokuroria e Shtetit.

Me shikimin e incizimeve të kamerave të sigurisë nuk është vërtetuar se para kohës kritike ka hyrë ndonjë person i panjohur në lokalin ku ka ndodhur ngjarja dhe me ekzaminimin e telefonit të tani të ndjerit nuk është vërtetuar se ai ka pasur ndonjë kërcënim apo shantazh nga ndonjë person tjetër.

Me obduksionin e kufomës nuk është vërtetuar se ai ka ndonjë plagë tjetër përveç plagëve me thikë. Është vërtetuar më tutje, se në trupin e tani të ndjerit janë gjetur 11 plagë të shkaktuara me thikë. Shtatë plagë, në regjionin e qafës, janë plagë prerëse hezituese. Hezituese janë edhe dy gërvishtje në regjionin e qafës dhe këto plagë hezituese janë karakteristike për vetëvrasje. Në regjionin e gjoksit janë gjetur dy plagë shpuese-prerëse dhe njëra nga ato ishte vdekjeprurëse.

Bazuar në këto prova prokuroria konkludon se tani i ndjeri Dino Asanaj është vetëvrarë.

Prokuroria nuk ka përjashtuar mundësine që i ndjeri të jetë shtyrë në vetëvrasje dhe për këtë ka kërkuar nga Policia e Kosovës të mbledhë të dhënat ose provat eventuale që do të vërtetonin dyshim eventual se tani i ndjeri është shtyrë të vetëvritet, thuhet në njoftim./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button