Ligji për Prokurorinë Publike në Parlamentin e Maqedonisë me procedurë të përshpejtuar

Parlamenti i Maqedonisë vendosi sot që Projektligjin për Prokurorinë Publike ta lëshojë me procedurë të përshpejtuar. Deri të enjten opozita ka afat për dhënien e amendamenteve, njofton Portalb.mk.

Sipas propozim-ligjit të qeverisë, Prokuroria speciale publike (PSP) duhet të bashkohet me Prokurorinë Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe të quhet Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë dhe në krye të saj do të jetë shefi i kësaj prokurorie. Njëkohësisht prokurorët, të cilët janë ende duke punuar në PSP, duhet të vazhdojnë punën e tyre, ndërsa për hetuesit ofrohen dy mundësi, ose të transferohen në Prokurorinë publike ose të kthehen në MPB prej nga kanë ardhur e pastaj të krijohet një qendër hetimore në Prokurorinë publike.

Grupet punuese të qeverisë dhe opozitës dje dështuan të harmonizojnë pikëpamjet për statusin e PSP-së. Ministrja e drejtësisë Renata Deskoska tha se ndryshimet kryesore të pakapërcyeshme kanë të bëjnë pikërisht me çështjet e PSP-së, të cilat opozita nuk dëshiron të mbyllen në mënyrë efikase.

“Propozimi ynë është që këto raste të transferohen dhe të vazhdojnë nga pika ku kanë mbërritur në PSP, pa asnjë vonesë dhe ndërprerje të procedurës. Kërkuam që vërejtjet të cilat i ka VMRO-DPMNE t’i përkthejë në amendamente. Ligji do të hyjë në procedurën parlamentare nesër, amendamentet duhet të parashtrohen deri të enjten. Shpresoj që nesër të gjitha partitë politike do të gjejnë forcë të kujdesen për të ardhmen e vendit tonë në rrugën drejt integrimit evropian dhe se ky ligj do të miratohet”, tha ministrja Deskoska dje, duke shtuar:

“Po punojmë për të siguruar shumicë prej dy të tretave në ligjin e prokurorisë. Nëse nuk ia dalim, shpresoj që Këshilli i prokurorëve publikë të gjejë zgjidhje për të vazhduar punën e PSP-së”.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski, i cili është pjesë e ekipit negociues të partisë, por edhe i dyshuar në hetimin PSP “I Fuqishmi”, tha se ata e lënë mundësinë “që në debatin e komisionit me amendamente cilësore ta përmirësojmë tekstin ligjor, nëse ka gatishmëri nga shumica në pushtet për të pas një ligj që do të pranohej gjerësisht dhe do të bazohej në standarde “.

Ministrja Deskoska thotë se meqenëse ligji i ri parasheh që të dy prokuroritë – ajo për krim të organizuar dhe PSP-ja të bashkohen, është er logjikshme që të gjithë prokurorët të kenë mandat i cili do të jetë valid dhe i gjithë stafi nga të dyja prokuroritë të kalojë në prokurorinë e re.

Sipas Deskoskës, Prokurorja speciale Katica Janeva, e cila nga 21 gusht është në paraburgim prej 30 ditësh, nën dyshimin e shpërdorimit e pozitës zyrtare dhe autorizimeve në çështjen “Reket”, nuk është përfshirë në këtë paketë, sepse mandati i saj skadon më 15 shtator.

“Por kur flasim për individë konkret, qofshin ata prokurorë apo punonjës në prokurori, duhet të jemi të vetëdijshëm që nëse dëshmohet përgjegjësia e tyre penale, ata do të hiqeshin nga punët e tyre me vendim të gjykatës, pavarësisht se ku ligji parashikon që ata të vazhdojnë karrierën e tyre. Deri në momentin aktgjykimit, prezumimi i pafajësisë mbetet”, tha Deskoska.

Këshilli i prokurorëve publikë do të diskutojë sot për përfshirjen e Prokurores speciale Katica Janeva në çështjen “Reket” dhe nëse përcakton se ka elementë për shkarkim nga puna, do të njoftohet Parlamenti. Ligji për PSP-në nuk parashikon zëvendësim të Prokurores speciale, as nuk specifikon procedurë për zgjedhje të shefit të ri.

Janeva dha dorëheqje më 15 korrik dhe tha se ajo do të mbetet aktive për sa kohë që partitë politike të pajtohen për ligjin e ri dhe të zgjedhin pasardhësin e saj. Ai e shpalli dorëheqjen e saj në faqen e internetit të PSP-së pak kohë pasi, të njëjtën ditë, u arrestuan Bojan Jovanovski-Boki 13 dhe Zoran Mileski-Kiçeec.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button